Policia del me një njoftim zyrtar lidhur me avionin e rrëzuar dje në Vermosh. Raportohet se në këtë avion nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi. Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Sakaq, policia shqiptare po kërkon informacion nga Mali i Zi dhe Kosova për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion.
"Më datë 04.10.2021, në orën 12:30, në sallën operative të Komisariatit të Malësisë së Madhe, Shkodër, ka ardhur një telefonatë se në fshatin Velipojë, Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, bashkia Malësia e Madhe, ishte rrezuar një avion sportiv.
Me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të adresës së dhënë u nisën shërbimet e Policisë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për të verifikuar informacionin, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi, është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Në bashkëpunim dhe me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë, po punohet për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet hetimore për identifikimin e automjetit që ka marrë dhe larguar pilotët nga vendngjarja, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të rënies së avionit", njofton Policia.
Lajmi kryesor: