Bashkë-piloti përgjegjës për përplasjen e avionit të Germanwings, që kishte kaluar një krizë depresioni në 2009-ën, aktualisht po kalonte një periudhë të vështirë për shkak të ndarjes nga e fejuara pak para martesës.

Këto janë të dhënat e fundit të bëra publike nga mediat gjermane, sipas të cilëve në shtëpinë e tij janë gjetur dhe të dhëna mbi kurimin për sëmundje psiqike. Mësohet se 28 vjeçari Andreas Lubitz, jetonte i ndarë mes dy shtëpive: asaj të prindërve dhe asaj që ndante me të fejuarën në Dyseldorf.

Investiguesit po hetojnë mbi “një krizë personale” si arsyen përse i riu përplasi qëllimisht avionin në jug të alpeve franceze, duke shkaktuar vdekjen e 150 personave në bord. Sipas gazetës gjermane Bild, që citon burime të kompanisë ajrore ku Lubitz ishte trajnuar, ai ishte gjykuar 6 vite më parë si pjesërisht “jo i gatshëm për fluturim”.

Bashkë-piloti që mbylli kapitenin e avionit jashtë kabinës së pilotimit duke marrë i vetë nën kontroll avionin, ishte shkarkuar disa herë nga detyra për shkak të episodeve të rënda depresive për të cilat kishte marrë dhe një trajtim psikologjik për një vit e gjysmë. 

Ndërsa sipas gazetës Online Spiegel, kontrolli i policisë në shtëpinë e tij ka zbuluar se atë ditë Lubitz nuk duhet të ishte fare në punë, por dyshohet se ja ka fshehur qëllimisht raportin mjekësor kompanisë së Germanwings.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)