Opozita parlamentare PD dhe LSI, kërkojnë rishqyrtimin e dekretit të presidentit Ilir Meta për dividentin. Kryetarët e grupeve parlamentare, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, i kanë dërguar sot një letër Këshillit për Rregulloren dhe Kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.

Në letrën e PD-LSI, thuhet se mazhoranca ka shkelur rregulloren në seancën e 20 dhjetorit, pasi brenda 12 orësh dekreti erdhi në Kuvend, dhe më pas u mblodh në shkelje të rregullores Këshilli i Ekonomisë, që rrëzoi dekretin.

Opozita kërkon që të evidentohet shkelja e rregullores, të anulohet vendimi i Komisionit të Ekonomisë, dhe të rishqyrtohet dekreti i Presidentit Ilir Meta për dividentin.

Shkresa e opozitës drejtuar Kuvendit
Shkresa e opozitës drejtuar Kuvendit

Presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend dekretin për “Tatimin mbi të ardhurat” në 20 dhjetor, me pretendimin se ka shkelur barazinë biskale me aksionerët. Në dekret, presidenti theksoi se nenet 9, që përcaktonin uljen e tatimit të dividentit nga 15 në 8% dhe nenit 11 që përcakton hyrjen e fuqi te ligjit, bien ndesh me kushtetutën e vendit.  Në të njëjtën ditë, maxhoranca mblodhi pa praninë e opozitës komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe rrëzoi dekretin.