Është mbyllur këtë të enjte hetimi administrativ i urdhëruar nga Ministria e Mbrojtjes për rrëzimin e helikopterit të Forcës Ajrore me numër anësor 637 të tipit EC 145, më  6 prill 2016, në ujërat e Liqenit të Shkodrës, ku humbën jetën dy pilotët e FA.

"Në përfundim të këtij hetimi administrativ, grupi i punës doli në përfundimin se:  planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të Helikopterit FA-637 në datën 6 prill 2016, është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Forca Ajrore, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror. Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore," thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.

helikopteri
(Helikopteri i FA EC 145 dy ditë para rrëzimit në 4 prill (majtas) dhe rrënojat e helikopterit të rrëzuar në 6 prill në Shkodër (djathtas)


Ja deklarata e plotë e Ministrisë së Mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes në përputhje me kompetencat që i njeh legjislacioni në fuqi, në datën 7.04.2016 urdhëroi ngritjen e grupit të punës për hetimin administrativ me objekt:

“Rrëzimi i Helikopterit EC-145” më datën 6 prill 2016 me afat përfundimtar të mbylljes së hetimit administrativ, datën 22 prill 2016.

Grupi i punës, gjatë procesit hetimor administrativ, mblodhi të gjitha provat shkresore dhe jo shkresore, dëgjoi dëshmitarët, palët e interesuara dhe në dijeni të ngjarjes, verifikoi në vend provat, në praninë e Prokurorisë të rrethit Shkodër kqyri vendin e ngjarjes, thirri, dëgjoi ekspertë të brendshëm dhe të huaj, si dhe krahasoi dhe analizoi provat e marra.

Në përfundim të këtij hetimi administrativ, grupi i punës doli në përfundimin se:  planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të Helikopterit FA-637 në datën 6 prill 2016, është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Forca Ajrore, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror. Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore.

Ministria e Mbrojtjes falenderon Prokurorinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në këtë hetim administrativ si dhe institucione të tjera me të cilat kemi bashkëpunuar. Gjithashtu falenderon ekspertët amerikanë dhe Ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë, për asistencën e ofruar prej tyre.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)