Rruga që çon te Oumar Solet po bëhet gjithnjë e më e qartë për Interin. Mbrojtësi qëndror francez, objektivi kryesor i Interit, është gjithnjë e më pranë transferimit te zikaltërit. Tashmë ka ardhur edhe “drita jeshile” nga ana ligjore.
Procedimi për dhunë seksuale, në të cilin ai ishte përfshirë për muaj të tërë, është mbyllur me arkivimin e çështjes. Solet ishte denoncuar nga një grua rreth 30 vjeç në maj të vitit 2025, pas një mbrëmjeje të kaluar me disa miq në shtëpinë e mbrojtësit në rajonin e Friulit. Më 28 maj, Prokuroria e Udines urdhëroi arkivimin e çështjes. Avokatët e tij, të cituar nga ANSA, shprehën “kënaqësi të madhe për këtë përfundim plotësisht çlirues”.
Interi shtyn fort për transferimin - Tani Interi mund të përshpejtojë negociatat. Nga ana e lojtarit, gjithçka duket e përfunduar; një marrëveshje deri në vitin 2031 dhe një rol i përshtatur sipas karakteristikave të tij në skemën e trajnerit Cristian Chivu.
Solet mund të luajë në të treja pozicionet e mbrojtjes me tre lojtarë. Te Udinese ai ka luajtur kryesisht si mbrojtës i djathtë në treshen e prapavijës, duke u përfshirë shpesh edhe në sulm.
Sezoni i tij ka qenë pozitiv, 3 gola në 38 ndeshje. Tani drejtuesit e Interit duhet të bien dakord me Udinesen për çmimin e kartonit. Klubi friulan e vlerëson lojtarin rreth 25 milionë euro, megjithëse në marrëveshje mund të përfshihet edhe një talent i ekipit U23 të Interit.
Piero Ausilio dhe Giuseppe Marotta e kanë ndjekur prej kohësh Solet. Ata e kanë parë të shënojë në 'San Siro' me fanellën e Udineses dhe më parë ta markojë kapitenin Lautaro Martinez kur luante me Salzburgun.
Në tetor 2023, gjatë fazës së grupeve të Champions League, Solet luajti 90 minuta në “Meazza” si kundërshtar i Interit, përpara se të transferohej në Serie A. Vetë francezi kishte deklaruar për “La Gazzetta dello Sport” se kishte refuzuar Napolin dhe se i pëlqente shumë Milanoja. Interi e ka mbajtur shënim këtë detaj.
Karakteristikat e Solet - Pozicioni i tij ideal është ai i mbrojtësit të djathtë në mbrojtjen me tre lojtarë, me liri për të sulmuar dhe për të avancuar me topin.
“Jam rritur si mesfushor, ndaj për mua është natyrale të kem topin në këmbë dhe të luaj. Nuk mendoj shumë për rrezikun”, kishte deklaruar Solet.
Për nga stili i lojës, ai ngjan shumë me Yann Bisseck, mbrojtësin gjerman të Interit, për të cilin vazhdon të ketë interes nga Bayern Munich. Edhe Solet pëlqen të avancojë me topin për të krijuar epërsi numerike dhe për të hyrë në zonën kundërshtare.
Statistikat e tij në Serie A janë mbresëlënëse - I pari mes mbrojtësve qendrorë për driblime të suksesshme (42), i pari për topa të fituar ndaj kundërshtarëve, i treti për topa të hedhur në zonë.
Një lojtar shumëfunksional dhe i vlefshëm për repartin mbrojtës, që mund të bëhet një armë e rëndësishme për Interin në sezonet e ardhshme.
Komente









