Grida mashtroi
I kontaktuar në telefon nga gazeta “Shqiptarja.com” avokati i shtetasit Albert Pali, Ferdinand Ndoja, ka deklaruar se nxjerja e vendimit të janarit 2012 të pushimit të kallëzimit të 72-vjeçarit Pali, është një mashtrim. Sipas avokatit, në atë kallëzim Grida Duma nuk ka qënë e kallëzuar por ka qënë ortaku i saj Roland Rexho dhe subjekti “Kristian Konstruksion”. “Tashmë ne i jemi drejtuar me një kallëzim të dytë prokurorisë së Tiranës, duke e formuluar me një akuzë tjetër që është “Vjedhja me anë të mashtrimit”. Jemi para një kontrata noteriale që është lidhur mes Albert Palit, Grida Dumas dhe Roland Rexhos, të cilët kanë premtuar dhënien e tre apartamenteve dhe në fund të kontratës kanë nënshkrimin e tyre. Ndryshe nga se çfarë shkruhet në kontratë dhe kanë rënë dakort të treja palët, është vepruar nga Grida Duma dhe Roland Rexho, të cilët kanë dhënë një apartament 90 metra katror tek shtetasi Pali, dhe dy të tjetër i kanë shitur. Me këto veprime që kanë kryer jemi përpara faktit të “Vjedhjes me anë të mashtrimit”, prandaj dhe i jemi drejtuar me një kallëzim penal të ri, prokurorisë së Tiranës”-shprehet avokati Ndoja.
Kallëzimi
Albert Pali një 72-vjeçar, akuzon direkt Grida Dumën (Shqina) dhe Roland Rexhon, të cilët kanë pasur në bashkëpronësi kompaninë ndërtimore “Kristian Konstruksion”. Në kallëzimin e tij, shtetasi Pali pretendon se ka qënë pronar i një trualli prej 281 m2 në rr. “Edit Durham”, pronë të cilën me anë të kontratës së sipërmarries dhe aneksit të kësaj kontrate, ja ka dhënë për ndërtim ndërtuesve Roland Rexho dhe Grida Duma, të cilët ishin bashkëpronar të firmës ndërtuese “Kristian Costruction sh.p.k”. Sipas kontratës Duma dhe Rexho në përfundim të objektit, pra pallatit, detyroheshin të kalonin në pronësinë e kallëzuesit tre apartamente me nga dy dhoma dhe një guzhinë me sipërfaqe totale 283 metra katror. Kontrata mes palëve është lidhur në vitin 2005. Më tej Albert Pali pretendon se kjo marrëveshje nuk është respektuar dhe për pasojë, ai ka ndjekur rrugët ligjore duke e paditur penalisht në prokurorinë e Tiranës Grida Duma dhe aksionerin tjetër Roland Rexhon.
50 milion lekë
Në vitin 2010, aktivistja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka vendosur të tërhiqet nga kompania Kristal Konstruksion, duke i shitur 30 për qind të aksioneve që i kishte blerë në vitin 2002. Shitja e aksioneve është bërë me një vlerë prej mbi 50 milion lekësh të vjetra, ndërkohë që blerësi është ortaku i kompanisë Roland Rexho. Shitja është bërë para noteres Luljeta Kongoli, ndërkohë pas kësaj shitje Grida Duma është larguar nga kompania “Kristian Konstruksion”.
Shkrimi u publikua sot 4 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)