Një avion ushtarak i Shteteve të Bashkuara, me 6 persona në bord, u rrëzua në oqean afër ishullit japonez të Jakushimës, thanë rojet bregdetare të Japonisë më 29 nëntor.

Avioni i rrëzuar në perëndim të Japonisë ishte i llojit Osprey. Një zëdhënës i rojeve bregdetare tha se nuk ka detaje të tjera për incidentin, përfshirë edhe për njerëzit që ishin në bordin e këtij avioni.

Avioni u rrëzua rreth orës 02:47, sipas kohës lokale. Banorët lokalë kanë raportuar se motori i majtë i avionit ishte përfshirë nga zjarri teksa u rrëzua në oqean.

Ushtria amerikane ende nuk ka komentuar për këtë incident.

Rrëzimi i avionit amerikan vjen pasi një avion i po të njëjtit lloj ishte rrëzuar në veri të Australisë në gusht, duke vrarë tre anëtarë të ekuipazhit nga 23 sa ishin në bord. Avioni Boeing MC-22B Osprey ishte rrëzuar në ishullin Melville, në Australi, gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:56
Rrëzimi i avionit amerikan në oqean, gjendet i vdekur një prej 6 ushtarëve

Një avion ushtarak amerikan me gjashtë persona në bord u rrëzua në ishullin Yakushima në jugperëndim të Japonisë. Roja Bregdetare e Japonisë tha se një person ishte gjetur i vdekur pranë vendit të rrëzimit të avionit.

Sipas informacioneve, motori i avionit kishte marrë flakë ndërsa po përpiqej të ulej në aeroportin Yakushima të mërkurën. Ministria e mbrojtjes e Japonisë tha se avioni u zhduk nga radari në orën 14:40 të mërkurën.

Roja Bregdetare mori një telefonatë pesë minuta më vonë, duke thënë se avioni ishte rrëzuar. Më pas dërgoi gjashtë varka dhe dy helikopterë në vendngjarje. Në orën 16:00, helikopterët vunë re atë që dukej si një pjesë e avionit dhe një gomone shpëtimi, tha një zëdhënës për BBC.

Yakushima, në prefekturën Kagoshima, ndodhet në jug të ishullit Kyushu të Japonisë.