TIRANE-Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar me 13 vota projektligjin e propozuar nga opozita e re në Kuvend për lustracionin, i cili nëse miratohej përjashtonte automatikisht ish-kryeministrin Sali Berisha nga politika dhe nga listat e kandidatëve për deputetë në vitin 2021, si dhe të gjithë politikanët e tjerë, të cilat kanë ushtruar disa funksione gjatë regjimit komunist, duke përfshirë edhe Gramoz Ruçin, i cili ka qenë ministër i Brendshëm në vitet e fundit të diktaturës.

Kryetari i grupit Demokrat Myslim Murrizi i kërkoi shumicës që e rrëzoi, që të pranonte nismën, pasi shumica nuk rrezikohej, pasi i ka numrat, por edhe nëse do të ndodhte, tha se do të votonte ai pro për ta mbajtur deri në 2021 në këmbë.  

"Jemi i vetmi vend që nuk jemi ndarë me ligj nga e kaluara komuniste, nga strukturat që kanë ushtruar dhuën dhe reprezalje në 45 vite. I kërkoj Kuvendit që tani është koha, ndoshta e vonuar, por nuk sjell kaos në administratë. Unë nuk mund të jem fair me drejtësinë e re sot kur shoh në KLP, KLGJ dhe Prokurorinë e përgjithshme ish-hetues, shoh që aspirojnë në gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, njerëzit që kanë qenë oficer të sigurimit dhe tani aspirojnë për drejtësinë e re.

Të hapin krahun, lekë kanë bërë sa të duash, mos u shisni dëngla shqiptarëve. Disa janë si udhëheqës të reformës në drejtësi, kjo është turp. Për 4-5 veta nuk u bë qamti. Zoti Fino kërkoj mbështetjen tënde. Mos bëhemi pis kot. Zoti Manja nuk bie shumica, nga 78 deputetë apo 82, do të mbetesh me 76, garantoje Ramën se nëse ka problem për të qeverisur pa spiunë, do u lutem unë deputetëve të krahut tjetër ta votojnë vetëm të ikin spiunët. Hajde ti qërojmë edhe rrimë rehat. Deri në 2021 do të votoj unë për të mbajtur shumicën në këmbë vetëm të heqim spiunët" tha Murrizi.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se PS-ja është e pastër nga kjo situatë. "Nisma duhet rrëzuar në parim, pasi bie ndesh me vendimet e gjykatës Kushtetuese, që ka përcaktuar rastet e kufizimit për t'u bërë pjesë e jetës politike dhe opinionin e Komisionit të Venecias" tha ai. Në zgjedhjet e radhës kush kërkon ,mandat nga populli, aty është autoriteti i dosjeve, nëse populli i zgjedh me votë, pse jo kushtetuta nuk ua ndalon" tha ai.

Relatori Alket Hyseni u shpreh se projektligji duhet të rrëzohet. "Duhet ta kapërcejmë dhe të vijojmë me iniciativa të tjera që e shëndoshin shoqërinë, administratën dhe cdo levë të këtij shteti. Sa i takon krimeve të komunizmit duhet të ketë përjashtime  por në rastin konkret jemi në shkelje të parimeve dhe akteve kushtetuese. Duhet ta rrëzojmë në parim projektligjin dhe besoj që bëjmë detyrën tonë" tha ai.

Por cfarë ndodh tani? 'Kur komisioni nuk e miraton në parim cështja vendoset për diskutim në seancë plenare dhe kur kuvendi vendos miratimin në parim, komisioni vendos shqyrtimin nen për nen, pra i kalon seancës plenare", tha Ulsi Manja, por edhe në Kuvend pritet që të rrëzohet, pasi socialistët në komisionin e rrëzuan.