Rrëzohet qeveria"Hoti" brenda 40 ditëvezgjedhje të parakohshme

Kërkesa e Vetëvendosjes për shpalljen e pavlefshme të votës së deputetit Etem Arifi, aktualisht i burgosur është pranuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, çon në zgjedhje të reja vendin brenda 40 ditësh si dhe ngre shumë pyetje se kush është personi i cili mund të pasojë Hotin në postin e Kryeministrit.

Presidenca ka bërë të ditur se ushtruesja e detyrës së Presidentit Vjosa Osmani do të caktojë  datën e zgjedhjeve ditën e sotme pas takimit me krerët politik.

Votat e ish-deputetit Etem Arifi për rrëzimin e qeverisë Kurti e më pas ngritjen e qeverisë Hoti, tronditi skenën politike në Kosovë, pasi u vërtetua se ishin antikushtetuese. Në kohën kur ai votoi ishte i dënuar me burg për mashtrim. Me arsyetimin se ishte i sëmurë, ai i shmangej burgut, por jo pjesëmarrjes në Kuvend. Deputeti Arifi i dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim fondesh prej 26 mijë eurosh.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Por kush mund të jenë kryeministrat e ardhshëm, për Kosovën, në një kohë që brenda një viti u ndërruan dy kryeministra.

Në zgjedhjet e tetorit të 2019, shumicën e votave e fitoi Lëvizja Vetëvendosje dhe deri tani është e vetmja me një emër të qartë për kryeministër, Albin Kurtin.  Një pretendente e mundshme është edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila pas përjashtimit nga Lidhja Demokratike ka bërë të ditur se do të formojë një iniciativë të re me të cilën do të garojë në zgjedhje kurdo që ato do të mbahen. Sa i përket LDK-së, e cila aktualisht qeveriste në bashkëpunim me AAK me kryeministër Avdullah Hotin, nuk ka ende një emër të qartë, megjithatë lakohen emrat e nënkryetarit Lutfi Haziri, Kujtim Shala e Lumir Abdixhiku, mirëpo, që emri i asnjërit nga ta nuk është konfirmuar në subjekt. Partia Demokratike e Kosovës mbrëmë ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses për rrëzimin e Hotit. Megjithatë pas konfirmimit të aktakuzave ndaj Kadri Veselit, i vetmi emër i qartë mbetet ushtruesi i detyrës së Kryetarit Enver Hoxhaj. Megjithatë janë lakuar edhe emra e Vlora Çitaku  dhe Memli Krasniqi. Sa i përket AAK, partisë së  Ramush Haradinajt, ende nuk duket e qartë se çfarë emri mund të japin, pasi vetë ai më parë kishte deklaruar se do të kandidonte për president të Kosovës.  Partia e Fatmir Limajt nuk e pati të lehtë në zgjedhjet e gjashtë tetorit të vitit të kaluar. Në zgjedhjet e reja që sipas të gjitha gjasave mbahen brenda janarit, Nisma ka paralajmëruar bashkëpunim me PDK-në, kështu që më shumë mundësi do të mbështesë emrin e dhënë nga PDK. Edhe partia e Behgjet Pacollit do të garojë në zgjedhjet e reja, por ende nuk ka deklaruar se me cilin subjekt do të bashkëpunojë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:37
Vetëvendosja: Vendimi i Kushtetueses nuk ia ndalon Kurtit të garojë në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, lidhur me ndalimin e personave të dënuar që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk do të ndikojë tek kandidimi në zgjedhje i liderit të kësaj partie, Albin Kurtit dhe anëtares së kryesisë, Albulena Haxhiut.

Në vendimin e 21 dhjetorit, Kushtetuesja tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi për të kishte votuar Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një dënim të shkallës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Ai është i dënuar me një vit e tre muaj burgim.

Kushtetuesja argumentoi se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, "nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës".

“Në rastin tonë, përkatësisht në rastin e z.Kurti dhe znj.Haxhiu, ata nuk kanë pasur dënime me burgim, por dënime me kusht, dhe dënimet me kusht nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja juridike. Prandaj kryetari Kurti dhe anëtarja jonë e kryesisë, znj. Haxhiu nuk kanë asnjë ndalesë për të qenë pjesë e garës zgjedhore”, tha zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.

Më 2018, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.

Ora 10:09
Data e zgjedhjeve, Vjosa Osmani nga ora 13:00 nis takimet me liderët e partive politike

Ditën e sotme Vjosa Osmani, do të fillojë takimet me krerët e partive politike në vend për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Takimet në Presidencë, do të fillojnë në orën 13:00. Osmani do t’i presë në takime të ndara liderët e partive politike. I pari me të cilin do të takohet në këtë orë është Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje. Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo, po ashtu, ka konstatuar se Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses. 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë