Ish-inspektorja e Bashkisë në një intervistë për “Shqiptarja.com” tregon se nuk e demoralizon ky vendim gjykate, por e demoralizon fakti se edhe gjyqtarët janë kthyer në shërbëtorë të politikës. Ajo tregon se lufta e saj për të kërkuar të drejtën nuk do të mbarojë këtu udhëtimin dhe do ta apelojë atë edhe në shkallët e tjera të gjykatës, pasi ajo jo vetëm që u largua nga puna në mënyrë brutale por edhe u rrah brenda në zyrat e saja, nga një titullar i bashkisë.
Gjykata dha vendimin në favor të Bashkisë së Tiranës, si ndiheni ju?
U bë një kohë e gjatë që ndihem, nuk e quaj veten fare të fyer sepse e ndiej veten të përgatitur nga çdo lloj vendimi dhe përgjigje të këtij sistemi, që unë tani e quaj sistem fashist. Duke filluar që nga sistemi i gjyqësorit, ai i rekrutimit të nëpunësve, si me status civil, si me kod pune. Të tëra janë jo një shkelje e hapur ndaj ligjit, por janë veprime të paramenduara, të qëllimshme ndaj njerëzve që i kanë etiketuar si të kundërt. Kjo është një luftë e pastër klasash.
Pse mendon që t’i ke të drejtë?
Duke filluar që nga mënyra se si jam larguar unë nga puna, me dhunë, pa m’u dhënë asnjë motivacion. Duke qenë e bindur për punën që kam kryer unë si inspektore e kontrollit tatimor. Unë jam dalluar në punën time dhe kam qenë korrekte, madje unë kam kam aftësi jo profesionale, por diçka më shumë se profesionale. E theksoj që nuk kam pasur asnjë shkelje në detyre, asnjë lloj problemi me punën që kam kryer. Madje edhe sot kur kaloj rrugëve të Tiranës më ndalojnë dhe më japin përkrahje. Jam larguar nga puna, me datën 6 shtator në mënyrën më brutale, jam dhunuar nga drejtori i policisë bashkiake, i cili sot ndodhet në punë, ndërsa dosja ime ndodhet në prokurori pasi nuk është bërë gati për gjykatë. Vendimi për pushimin tim nga puna në 4:02 minuta, ashtu siç edhe kam firmosur unë në librin e protokollit që ndodhet në drejtorinë e taksave. Duke iu bindur sistemit hapa procesin gjyqësor, e fillova në muajin shtator. Me vonesa të qëllimshme herë pas here. Është provuar në të gjitha seancat gjyqësore që bashkia e Tiranës nuk ka asnjë lloj prove, asnjë lloj shkrese që të vërtetojë shkeljet e mia në punë. Ose një gabim qoftë edhe minimal.
Çfarë shkeljesh pretendon Bashkia?
Bashkia nuk ka fakte për asgjë. Gjatë procesit tim u ndërruan dy juristë. I pari nuk mundi ta përballonte dot gjyqin, dhe u soll drejtori i degës juridike të bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës nuk ka pretenduar asgjë dhe nuk ka sjellë asnjë provë në seancat gjyqësore përveç shkresës së drejtorit të përgjithshëm. Edhe kur i është kërkuar nga ana ime që të sillen prova që unë nuk chekuar me kartën e punës, ose nuk kam shkelje në detyrë qoftë mosrealizimesh shifrash, qoftë me numër aktkontrollesh nuk ka sjellë asnjë provë në seancë gjyqësore. Provat janë dhënë nga unë, është një dosje voluminoze në gjykatën e Tiranës.
Ju çfarë provash keni dorëzuar?
Unë kam dorëzuar të gjitha shkresat antiligjore që hedhin poshtë shkresën mbi të cilën është mbështetur drejtori i përgjithshëm për të më larguar nga puna. Gjithashtu kam sjellë të gjitha shkresat, ku unë i kërkoj drejtorit të taksave që dha vendimin, për të më realizuar të paktën takimin 72 orësh që e përmban ligji, i cili m’u refuzua. Këto shkresa i solla në gjykatë me nr protokolli, me datë dorëzimi. Dorëzova edhe një shkresë të cilën ia kam dërguar ambasadorit të OSBE-së, Wolfarth, shkresën të cilën ia kemi çuar personalisht një grup inspektoresh që na u refuzua takimi 72 orësh nga punëdhënësi. Gjithashtu unë solla edhe provën më të rëndësisshme se vendimi për pushimin tim nga puna, nuk është dhënë në orën 10:00 të paradites kur unë jam nxjerrë forcërisht nga zyra, por në orën 16:02 minuta të pasdites.
Paralelisht me ju kanë hapur procese gjyqësore edhe disa kolegë tuajt, që janë pushuar nga puna dhe e kanë fituar gjyqin. A mendoni se vendimi për çështjen tuaj ka motive politike brenda?
Po, ka shumë kolegë të mi që kanë filluar proceset gjyqësore. Madje tre prej tyre i kanë përfunduar seancat disa javë para meje, megjithëse proceset e tyre kanë nisur pas meje. Ata kanë fituar. Ndaj unë mendoj se vendimi që u dha dje për mua është krye këput politik, dhe nuk ma heq bindjen askush. Unë nuk demoralizohem fare nga vendimi i gjykatës dhe do të ndjek edhe të gjitha shkallët e tjera. Unë jam e demoralizuar nga sistemi dhe nga shërbimi që i bëhet këtij sistemi. Nuk jam njeri që mund të më hedhin poshtë dhe nuk mund të më poshtërojnë jo me një largim nga puna, por as me një vendim gjykate. Nuk e pranoj absolutisht as nga performanca ime profesionale por edhe nga prejardhja ime familjare.
Ju do ta apeloni këtë vendim?
Po do ta apeloj. Unë në fakt të gjithë dosjen do t’ia përcjell komitetit të Helsinkit që më ka ndjekur dhe “Avokatit të Popullit”. Unë jam e bindur që do ta gjej të drejtën time, të paktën morale, se e hoqëm këtë pjesën materiale. Unë sot nuk i shoh dot në sy fëmijët e mi, nuk dua që ata të mi shohin sytë me lot. Dhe loti im nuk është për ato para që do të merrja sot, por e kam për të ardhmen e fëmijëve. Në dorë të kujt është jeta e tyre? Sot është një problem kaq i thjeshtë largimi nga puna, po nesër nëse kemi probleme më të madhe. Imagjino të ngelim në dorën e këtyre shërbëtorëve të regjimit. Nuk e kam fare me frikë ta them se gjyqtarë të tillë, janë shërbëtorë të regjimit që instalojnë dikatorën në Shqipëri. Ndërkohë që t’i i bën një shërbim një urdhri të padrejtë, ky është rikthim i luftës së klasave. Nëse deri dje të hiqnin nga puna për biografi të keqe, sot të heqin nga puna nëse nuk i shërben Sali Berishës.
(ek/im/shqiptarja.com)