Rriten pagat për mësuesit dhe
pensionistët/ Vendimet e qeverisë

Rriten pagat për mësuesit dhe<br />pensionistët/ Vendimet e qeverisë
Në mbledhjen e sotme qeveria ka marrë disa vendime të rëndësishme.

Mes tyre u miratua vendimi për indeksimin e pensioneve të posaçme shtetërore dhe të pensioneve të posaçme shtesë mbi pensionin nga sigurimet shoqërore të detyrueshme.
 
Gjithashtu u miratua edhe vendimi për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar.


Vendimet e plota te qeverise


1. Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për  bashkëpunim teknik për projektin “Fondi për studime dhe ekspertë”. 

MINISTRI I PUNËVE TË JASHTME
Qëllimi i marrëveshjes për projektin “Fondi për studime dhe ekspertë” është ndihma e qeverisë gjermane ndaj qeverisë shqiptare si në konceptimin e projekteve të reja, por edhe në vlerësimin e projekteve aktuale.

Objektivat e marrëveshjes sigurojnë një mbështetje të punës së përbashkët ndërmjet GIZ dhe institucioneve qeveritare, për përgatitjen e projekteve e të programeve, në përputhje me prioritetet e qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) 2015-2020.
MIRATOHET

2. Për ratifikimin e ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe UniCredit Bank Austria AG, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit”, ratifikuar me ligjin nr.79/2014”.

MINISTRI I FINANCAVE
Ndryshimi nr.1 i marrëveshjes së kredisë për eksport konsiston në shtyrjen e afatit të përdorimit të fondeve të kredisë deri më 31.5.2017.
Marrëveshja e kredisë për eksport, e lidhur më 27.6.2014, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe UniCredit Bank Austria synon financimin e projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit" me anë të një kredie në vlerën prej 3 500 000 eurosh.

MIRATOHET
3. Për faljen e detyrimeve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të personave në pension invaliditeti, sipas ligjit nr.7703,                                         datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të personave në pension, sipas                 ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të krijuara për shkak të punësimit gjatë kohës së përfitimit të pensionit.
MINISTRI I MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka informatizuar sistemin e pensioneve dhe njëkohësisht nga tatimet transmetohen në formë digjitale të dhënat për kontributet e sigurimeve shoqërore të personave të punësuar dhe të vetëpunësuar. Nga një verifikim që i është bërë regjistrit elektronik të përfitimeve dhe bazës së kontributeve të transmetuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është konstatuar se një numër i caktuar personash, krahas përfitimit të pensionit sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, apo pensionit të invaliditetit sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993,  të ndryshuar, qoftë të plotë apo të pjesshëm, për periudha të ndryshme, kanë qenë të punësuar, madje disa prej tyre edhe sot vijojnë të jenë të punësuar. Gjithashtu, nga përplasja e këtyre të dhënave, kanë rezultuar të punësuar edhe ushtarakë në pension të parakohshëm, të cilët në deklaratat e tyre vjetore pretendonin të ishin të papunë, punonjës të universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë titutj shkencorë apo persona që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjës të shtetit. Këtyre personave i është pezulluar përfitimi dhe iu është vlerësuar masa e debisë. Nga të gjitha shtresat e konstatuara më lart, nisur nga problematika komplekse e ardhur edhe për shkak të moskoordinimit mes institucioneve, mes tyre dhe punëdhënësve, ku personat e deklaruar invalidë të plotë nuk lejohet të punojnë dhe ato me rekomandime nga mjeku për punë në kushte të caktuara duhet të punojnë në këto kushte, si dhe për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të këtyre kategorive, janë përzgjedhur për të përfituar nga kjo falje rreth 1 000 persona në pension invaliditeti dhe pension pleqërie të parakohshëm. Ndërkohë që nuk mund të përjashtohen nga detyrimet, pra nuk mund të jenë subjekte të kësaj fajljeje personat në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi apo pension suplementar, të cilët kanë deklaruar se janë të papunë dhe vijojnë të jenë të punësuar, si ushtarakët apo punonjësit e universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë titutj shkencorë si dhe personat që kanë kryer funksione kushtetuese apo punonjësit e shtetit.

MIRATOHET
4. Për zonat e mbrojtura.
MINISTRI I MJEDISIT
Projektligji synon të sigurojë mbrojtje të veçantë të zonave të mbrojtura dhe përbërësve të rëndësishëm të biodiversitetit e të natyrës në to, nëpërmjet:
a) shpalljes së zonave të mbrojtura, me rëndësi të veçantë për vlerat e tyre natyrore, ekonomike apo sociale, si pjesë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të mjedisit:

b) zhvillimit dhe mbrojtjes së zonave të mbrojtura, pasuri kombëtare me rëndësi të veçantë për vlerat e rralla e të pazëvendësueshme të ekuilibrave natyrorë, biodiversitetit si detyrim në interes të brezave të sotmëm dhe të ardhshëm;
c) lehtësimit të kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre zonave;
ç) informimit dhe edukimit të publikut për gjendjen dhe dobishmërinë e zonave të mbrojtura. 
Fryma e përgjithshme e projektligjit përshkohet nga qëllimi për një menaxhim efektiv dhe të pavarur të të gjitha zonave të mbrojtura ekzistuese dhe atyre që do të shpallen apo do të ndryshohen pas miratimit të këtij propozimi, që nga hartimi i planit të menaxhimit e deri tek administrimi i vazhdueshëm i saj nëpërmjet menaxherëve që janë strukturat e varësisë së Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
MIRATOHET

PROJEKTVENDIME:
5. Për dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar”. 

KRYEMINISTRI 
Në mbështetje të nenit 82, të Kushtetutës, Këshilli i Ministrave, pasi vlerësoi nismën e paraqitur nga një grup deputetësh për propozimin e projektligjit joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, i cili synon rregullimin e disa procedurave që lidhen me personelin e Policisë së Shtetit, procedurat për fitimin e gradës, shtimin e dy gradave në nivelin bazë të policisë, ndryshimin e disa emërtimeve, shtimin e përkufizimit për vërtetimin e besueshmërisë së policimit vullnetar, trajtimin e pjesëtarëve të familjes së shtetasve që humbin jetën për shkak të kryerjes së detyrave në ndihmë të policisë etj, shprehet parimisht dakord me nismën.

MIRATOHET
6. Për një ndryshim në vendimin nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar.

MINISTRI I PUNËVE TË JASHTME
Projektvendimi synon të rinovojë listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit të organizatave terroriste ISIL (Da’esh) dhe Al-Qaida. Ndryshimi që propozohet me anë të këtij projektvendimi konsiston në përditësimin e listës së shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Me miratimin e këtij projektvendimi, rezolutat e Këshillit të Sigurimit bëhen pjesë e legjislacionit të brendshëm dhe të detyrueshme për zbatim.

MIRATOHET
7. Për kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Finiq, të pronës nr.646, me emërtim “Ish-grup artileri tokësore”, me vendndodhje në Krane, Finiq, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar.

MINISTRI I MBROJTJES
Projektvendimi ka për qëllim kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Finiq, të pronës nr.646, me emërtim “Ish-grup artileri tokësore”, me vendndodhje në Krane, Finiq, për ta përdorur për ndërtimin e një qendre të shërbimeve publike dhe për vendosjen e shërbimit zjarrfikës, MZSH, për realizimin e funksioneve të veta dhe të shërbimeve, në territorin që përfshin Bashkia Finiq. 

Prona nr.646, me emërtim “Ish-grup artileri tokësore”, me vendndodhje në Krane, Finiq, është jashtë planit të vendosjes dhe të përhapjes së Forcave të Armatosura, miratuar me dekret të Presidentit të RSH-së. Kalimi i kësaj prone në pronësi të Bashkisë Finiq do t’i shërbejë më mirë administrimit me dobishmëri më të madhe publike, për realizimin e funksioneve dhe të shërbimeve të veta, në interes të komunitetit. Bashkisë Finiq i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, ta tjetërsojë ose t’ua japë atë në përdorim të tretëve.

MIRATOHET
8. Për disa ndryshime në vendimin nr.728, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e    NATO-s “AEGEAN SEA””.

MINISTRI I MBROJTJES
Projektvendimi i propozuar ka për qëllim ndryshimin e nivelit të pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e NATO-s “AEGEAN SEA” dhe përcaktimin e kohëzgjatjes së misionit për personelin që do të marrë pjesë në operacion. 

Në vazhdim të angazhimeve politike të Republikës së Shqipërisë në kuadër të NATO-s, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nga muaji prill 2017 do të japin kontributin e tyre në detin Egje, përkrah vendeve të tjera, me 22 (njëzet e dy) ushtarakë: 21 (njëzet e një) ushtarakë dhe 1 (një) anije të klasit “Iliria”, si dhe 1 (një) ushtarak oficer shtabi, në Grupin Detar të Përhershëm të NATO-s, në anijen flamurtare.  

MIRATOHET
9. Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Skrapar, njësia administrative Potom, të Qarkut të Beratit.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
Në këtë listë përfundimtare përfshihen prona publike, të cilat shërbejnë për kryerjen e funksioneve të bashkisë dhe u përkasin fushave të arsimit, shëndetit publik, infrastrukturës vendore dhe shërbimeve publike, bujqësisë, social - kulturore dhe zhvillimit rural. Në listën e inventarit janë përfshirë prona që ndodhen nën juridiksionin territorial të Bashkisë Skrapar, njësia administrative Potom, por që nuk i transferohen kësaj bashkie. Lista e inventarit e njësisë administrative Potom ka në përbërje të saj prona sipas fushave të përdorimit: arsim, shëndet publik, infrastrukturë vendore, shërbime publike, bujqësi, social - kulturore dhe zhvillim rural.

MIRATOHET
10. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet  Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Republika e Shqipërisë 2014-2020, alokimet për vitin 2016.

MINISTRI I INTEGRIMIT EVROPIAN
Programi i bashkëpunimit Maqedoni-Shqipëri ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin socialo-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rritë bashkëpunimin midis dy vendeve, nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta. Ky program mbështet, gjithashtu, shkëmbimin e përvojës dhe të njohurive midis përfituesve si dhe përmirësimin e politikave publike mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale në zonën e programit. Duke marrë parasysh aspektet problematike që ndikojnë në ekonominë e zonës dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm, programi do të fokusohet në prioritetet e mëposhtme tematike:
-  Nxitja e turizmit, kulturës dhe trashëgimisë natyrore; 
-  Rritja e konkurrencës, biznesit, tregtisë dhe investimeve; 
- Mbrojtja e mjedisit, nxitja e përshtatjes dhe lehtësimit ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut.
Me miratimin e kësaj marrëveshjeje pritet që vendi ynë të përfitojë shumën prej rreth 850 000 eurosh. Përfitues të këtij programi nuk do të jenë vetëm institucionet shtetërore buxhetore, por edhe organizata e shoqata të tjera jofitimprurëse. 

MIRATOHET
11. Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës ndryshuese të qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Liberest”, sh.p.k.,  për pasurinë “Agjencia e Rezervave të Shtetit Dorëz, komuna Qendër, Librazhd”. 

          MINISTRI I ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES
Projektvendimi ka për qëllim mbështetjen e biznesit, nxitjen e investimeve për zhvillimin ekonomik të zonës. Nisma ligjore për hartimin e këtij projektvendimi vjen nga ministria përgjegjëse e cila mbështet ndryshimet përkatëse ligjore të cilat do të ndikojnë pozitivisht në ndihmë të biznesit dhe në zhvillimin e kësaj prone shtetërore, por edhe të qytetit si dhe nxitjen e punësimit.  

MIRATOHET
12. Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.614, datë 7.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të privatizimit të banesave dhe objekteve të kthyera në fond banese, me vendime të organeve të qeverisjes vendore, në pronësi të njësive të qeverisjes vendore dhe të shtetit, ku janë sistemuar me strehim banorë të pajisur me autorizim nga organet kompetente”.

MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN
Projektakti synon të plotësojë një vakuum ligjor, të krijuar nga mungesa e dokumentacionit për identifikimin apo vërtetimin e vitit të ndërtimit të objekteve, të cilat janë kthyer në fond banese me vendime të organeve të qeverisjes vendore. Gjithashtu, ky projektvendim synon të rregullojë procedurën e njoftimit të qytetarëve nga ana e bashkisë, për të paraqitur kërkesën për privatizim dhe të parashikojë procedurat, që do të ndjekë bashkia, nëse qytetarët nuk paraqesin kërkesat për privatizimin. Shumat e arkëtuara nga privatizimi i banesave apo objekteve të kthyera në fond banese të depozitohen në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore që kryen privatizimin. Këto fonde janë të kushtëzuara dhe do të përdoren për qëllime të strehimit social nga njësitë e qeverisjes vendore. Projektvendimi nuk krijon faturë financiare për buxhetin e shtetit, përkundrazi do të krijojë të ardhura për bashkitë, të cilat do t’u shërbejnë këtyre të fundit për qëllime strehimi.

MIRATOHET
13. Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.970, datë 2.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.

MINISTRI I ENERGJISË DHE INDUSTRISË
Projektvendimi i iniciuar  në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.86, datë 30.12.2016, propozon ndryshimin e pagesave për pajisjen me licencë për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj si dhe synon miratimin e disa ndërhyrjeve të karakterit teknik, konsideruar të domosdoshme nga zbatimi në praktikë i këtij akti, me qëllim lehtësimin e procedurave të licencimit dhe vendosjen e mekanizmave të matshëm për t’u pajisur me licencë.
Me ndryshimet e propozuara, tarifa e licencimit  reduktohet nga 5 milionë lekë në masën 3 milionë lekë për stacionet e shitjes së karburanteve që operojnë në territorin e Bashkisë së Tiranës dhe 1 milion lekë për stacionet që zhvillojnë aktivitetin në bashkitë e tjera të vendit. 

MIRATOHET
14. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike lidhur me ofrimin e ndihmës teknike dhe financiare për projektin “Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit”.

MINISTRI I TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS
Ky projektvendim synon miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike lidhur me ofrimin e ndihmës teknike dhe financiare për projektin "Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit".

Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë cilësinë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të menaxhimit të mbetjeve në Qarkun/Rajonin e Beratit dhe të reduktojë ndikimin negativ në mjedis të mbetjeve të prodhuara. 

Projekti synon të nxitë ndërgjegjësimin e vendimmarrësve politikë, nëpunësve civilë dhe publikut për çështjet e menaxhimit të mbetjeve të ngurta dhe mbështetjen për zbatimin e legjislacionit përkatës. Projekti do të zhvillojë kapacitete të përgjithshme të autoriteteve publike për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, por në veçanti do të nxitë aftësitë për hartimin e politikave dhe skemave të financimit për përmirësimin e shërbimeve. 

MIRATOHET
15. Për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2017-2018.

MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT 
Projektvendimi ka si qëllim përcaktimin e notës mesatare si kriter hyrës në institucionet e arsimit të lartë. Mbështetur në notën mesatare do të bëhet përzgjedhja e të gjithë kandidatëve, që kanë përfunduar me sukses  nivelin e arsimit të mesëm të lartë, për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë. Vendosja e këtij kriteri synon rritjen e cilësisë në arsimin e lartë. 

MIRATOHET
16. Për disa ndryshime në vendimin nr.303, datë 5.4.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të pronës shtetërore me emërtimin “Klubi Sportiv “Dinamo””, Tiranë, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për dhënien në përdorim Federatës Shqiptare të Futbollit”.
MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT 
Projektvendimi vjen si një korrigjim i vendimit nr.303,                      datë 5.4.2017, të Këshillit të Ministrave, dhe mundëson lënien në pronësi të Bashkisë Tiranë të objektit “Tirana Olimpik Park”, që ndodhet pranë Klubit Sportiv “Dinamo”,Tiranë.

MIRATOHET
17. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Fondi arsimor për formimin profesional dhe punësimin”.

MINISTRI I MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË
Miratimi i kësaj marrëveshjeje ka për qëllim të kontribuojë në realizimin e objektivave të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020 për qendrat shumëfunksionale (QSHF) në fushën e aftësimit profesional, duke mbështetur QSHF Kamzë me zgjerimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës së bazës prodhuese dhe plotësimin me pajisje dhe duke u përqendruar te masat shtesë për ta bërë një QSHF plotësisht funksionale me autonomi më të madhe. 

MIRATOHET
18. Për indeksimin e pensioneve të posaçme shtetërore dhe të pensioneve të posaçme shtesë mbi pensionin nga sigurimet shoqërore të detyrueshme.
MINISTRI I MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË
Ky projektvendim ka për qëllim që të mbajë në nivele optimale vlerën reale të pensioneve  shtetërore dhe të pensioneve të posaçme shtetërore shtesë mbi pensionin e sipas  legjislacionit për sigurimin shoqëror të detyrueshëm,  të caktuara nominalisht me vendim të Këshillit të Ministrave, duke rikuperuar dhe rimbursuar efektet e rritjes së indeksit të çmimeve, krahasuar me një vit më parë.

Bazuar në përllogaritjet nga INSTAT-i, indeksi mesatar vjetor i  indeksit të çmimeve të konsumit rezulton të jetë 3 %. Mbi këtë bazë, ashtu si edhe për pensionet e caktuara nga sigurimi shoqëror i detyrueshëm, edhe pensionet e posaçme shtetërore parashikohet të indeksohen me 3 %.
Nëpërmjet këtij projektvendimi realizohet rritja e të ardhurave për rreth 241 persona, nga të cilët marrin aktualisht pensione  të posaçme apo shtesa pensioni të posaçëm pleqërie, invaliditeti apo familjare. Rritja do të zbatohet me efekt financiar nga data 1 mars 2017, ashtu siç është parashikuar edhe në politikat buxhetore të pensioneve për vitin 2017.

MIRATOHET
19. Për përcaktimin e masës së financimit, nga buxheti i vitit 2017, për bashkësitë fetare tradicionale që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

MINISTRI I MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË
Projektvendimi ka si qëllim të ndajë fondin prej 109 000 000 lekësh të akorduar nga buxheti i shtetit për vitin 2017, të cilin ua jep si kontribut bashkësive fetare, në zbatim të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare tradicionale që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, e konkretisht, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (KOASH), Kisha Katolike në Shqipëri (KKSH) dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane (KBB). 
MIRATOHET

20. Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
  MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE
MINISTRI I FINANCAVE 
Ky projektvendim ka si qëllim miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për gradë për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, sipas hierarkisë së gradave dhe niveleve në të cilat janë të përfshira gradat e tyre.
Konkretisht, në këtë projektvendim parashikohet:
 
a) përcaktimi i pagës për gradë;
b) aplikimi i shtesës mbi pagë për vjetërsi në shërbim. Në projektvendim përcaktohet se punonjësit e Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, për kohën e qëndrimit në shërbim, përfitojnë shtesë për vjetërsi, në masën 1 % pas çdo viti pune.
c) aplikimi i shtesave mbi pagë për natyrë të veçantë pune. Masa e shtesës parashikohet në vlerë absolute dhe është e diferencuar midis këtyre niveleve, nga 8 000 lekë në gradat e nivelit bazë në 6 000 lekë në gradat e nivelit të mesëm.  
MIRATOHET
21. Për një shtesë në vendimin nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”. 
 MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE
MINISTRI I FINANCAVE
 
Projektvendim ka synim të miratojë një rregullim që lidhet me saktësimin e vlerës së pagës së grupit për një grup punonjësish të arsimit parauniversitar. 
Punonjësit mësimorë, që zotëronin diploma të ciklit të dytë të studimeve (Master Shkencor” apo “Master Profesional”) dhe ata që zotëronin diplomë të ciklit të parë të studimeve, (“Bachelor”) trajtoheshin në pagë sipas grupit 1, në vlerën                   14 000 lekë në muaj. 
Gjatë përgatitjeve të projektvendimit të ri të pagave të punonjësve të sistemit arsimor parauniveristar, Ministria e Arsimit dhe Sportit kërkoi që vlera e pagës së diplomës për ciklin e dytë të studimeve të ishte e ndryshme nga ajo për ciklin e parë të studimeve, duku iu referuar edhe pagave të nëpunësve civilë. 
Kjo solli si pasojë që një pjesë e punonjësve mësimorë, të cilët deri në miratimin e këtij vendimi përfitonin 14 000 lekë në muaj për diplomat “Bachelor”, aktualisht të përfitojnë 11 000 lekë në muaj, duke pësuar kështu një rënie në masën 3 000 lekë në muaj. 
Nisur nga sa më sipër, për të mos lejuar rënien në pagë, bazuar edhe në diskutimet me MAS, në këtë projektvendim propozohet që të gjithë punonjësit, të cilët deri në datën                          1 mars 2017 kanë përfituar pagën e grupit në masën 14 000 lekë në muaj, të vazhdojnë ta përfitojnë atë deri në momentin e ndryshimit të nivelit të diplomës, (pra për të gjithë ata që do të kryejnë ciklin e dytë të studimeve) ose deri në shkëputjen e marrëdhënieve të punës me institucionin. 
MIRATOHET
22. Për shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “sistemim, asfaltim-ndriçim i aksit rrugor, blloku 11.2 ha, në lagjen “Besëlidhja””, faza e tretë, Bashkia e Lezhës.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
Projektvendimi ka për qëllim shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, të llojit truall ndërtesë dhe “njësi”, që preken nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim-ndriçim i aksit rrugor, blloku 11.2 ha, në lagjen “Besëlidhja””, faza e tretë”, në Bashkinë e Lezhës. Shpronësimi do të bëhet në favor të Bashkisë së Lezhës.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 751 976 (nëntë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh, parashikohet të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Lezhës, planifikuar në buxhetin e saj.  
MIRATOHET
REND DITE SHTESË: 

23. Për përcaktimin e autoriteteve kontraktore për të ndërmarrë dhe zhvilluar procedurat, për dhënie koncesioni/partneriteti publik privat, me objekt përmirësimi i infrastrukturave arsimore në Bashkinë e Tiranës
MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT 
MIRATOHET
24. Për një rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Financave, për përballimin e pjesshëm të kostove të ekspertimit dhe të përfaqësimit të avokatëve të kontraktuar për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ndërkombërtar, icsid, nr.arb/14/26, me palë “Albaniabeg Ambient sh.p.k, m.angelo novelli” dhe “construzioni, s.r.l.”, kundër Republikës së Shqipërisë.”
MINISTRI I MJEDISIT
MIRATOHET
25. Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar.
MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN
MIRATOHET

26. Për shpronësimin ,për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim urban në territorin e Bashkisë Vlorë”, faza I. 
MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN


dy.b/shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Absurde/ Softa: U vra në mes të qytetit dhe askush nuk i dha ndihmën e parë

Absurde/ Softa: U vra në mes të qytetit dhe askush nuk i dha ndihmën e parë