Viti i kaluar u mbyll me shifrën 18.8 për qind. Sipas shifrave, totali i kredive të dhëna nga bankat në vendin tonë është 564.55 miliardë lekë, ose 5.37 miliardë dollarë, gati sa gjysma e prodhimit të brendshëmbruto të vendit. Por, kohët e fundit institucionet bankare të nivelit të dytë kanë rritur kujdesin në kredidhënie, pas rritjes së shpejtë e të ndjeshme të kredive që nuk po paguhen në rregull nga klientët. Kjo masë ëshët kritikuar nga banka qendrore, e cila ka bërë thirrje për të rritur kreditimin, ndërkohë që ajo edhe qytetarëve u ka bërë thirrje të shtojnë konsumin, ndonëse asnjerën prej këtyre dy palëve nuk mund ta detyrojë dot të lëvizë në këtë drejtim.
Konsumi i qytetarëve, sipas INSTAT-it, aktualisht është 6 për qind më i ulët se një vit më parë dhe shenjat e para negative të kësaj janë dukur në uljen e nivelit të inflacionit nën nivelin minimal të preferuar nga Banka e Shqiprisë që është nga 2 deri në 4 për qind. Shifra e rritjes mesatare të çmimeve në janar, në shkallë vjetore, ishte vetëm 0.6 për qind, duke rritur alarmin për rrezikun e deflacionit.
(gk/im/shqiptarja.com)