Qeveria ka bërë publik bilancin e saj të pagesave jotregtare ku rezulton se për periudhën janar-qershor kemi një rritje të shpenzimeve. Vetëm shpenzimet e ambasadave kanë shënuar për 6-mujorin e parë 2017 një rritje me 38% në raport me të njëjtën periudhë të një viti, duke arritur në 5.5 milionë dollarë.

Në këtë fond nuk përfshihet pjesa e fondit të pagave që buxheti i shtetit paguan për trupën diplomatike në vendet ku ka prezencë. Këto të fundit janë një zë më vetë dhe duket se edhe ato si shpenzimet e tjera për vitin 2017 rezultojnë të jenë rritur.

Sipas të dhënave për pagat e zyrtarëve në ambasadat shqiptare kanë shkuar 2.1 milionë dollarë në 6 muaj me një rritje prej 10.5% në raport me vitin paraardhës kur i njëjti zë ishte 1.9 milionë dollarë.

Por ndërsa kemi një rritje të shpenzimeve për ambasadat duket se kemi një rënie të totalit që paguhet për udhëtime. Në janar-qershor 2017 qeveria ka deklaruar në bilancin e saj të pagesave vetëm 1 milion dollarë, me një rënie prej 27% me bazë vjetore.

Shqipëria rezulton të ketë të paktën 50 përfaqësi diplomatike të vendosura në shtatë kontinentet. Në këtë numër nuk përfshihet vetëm pjesa e ambasadave pranë shteteve por edhe pranë institucioneve të rëndësishme ndërkombëtarë siç është UNESCO, OKB, OSCE, NATO, KE, BE. 


dy.b/shqiptarja.com