TIRANË- Në takimin e zhvilluar ditën e sotme në qytetin e Lushnjes, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, shpjegoi skemën e re të dëmshpërblimit sipas ligjit të ri.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj u bëri thirrje ish- të burgosurve që përfitojnë nga skema e re, të paraqiten pranë Ministrisë së Financave për të dorëzuar certifikatën dhe numrin e llogarisë bankare.
"Për vitin tjetër, fondin për dëmshpërblimin e ish- të përndjekurve e kemi rritur me 11 për qind; nga 18 milionë dollarë që ishte këtë vit, në 20 milionë dollarë, dhe kjo jo për efekt elektoral, por sepse është diçka e drejtë.
Gjithashtu, jo vetëm që kemi rritur fondin, por po shpejtojmë me disbursimin e kësteve, sidomos për ata ish- të burgosur që jetojnë", deklaroi ministri Veliaj gjatë takimit.
Sipas tij, deri tani, në një vit qeverisje, është mbyllur procesi i dhënies së këstit të dytë dhe shumë shpejt do të fillojë shpërndarja e këstit të tretë. "Me shpresë, brenda dhjetorit, do të nisim edhe pagesën e këstit të katërt, si një mënyrë për të thënë se aty ku qeveria tregon vullnet, gjen edhe një rrugëzgjidhje", tha ai.
Gjithashtu, ai ftoi të gjithë përfituesit nga ligji që të paraqesin sa më shpejt dokumentet e nevojshme për të marrë këstin e tretë, shpërndarja e të cilit do të nisë brenda muajit nëntor.
"Shqipërisë i shërbyen të gjithë; edhe ata që ishin në punë të detyruar, edhe ata që ishin në internim apo në burgje. Por, vullneti për integrimin e ish të përndjekurve është një përpjekje për të treguar fytyrën e plotë dhe të vërtetë të Shqipërisë", nënvizoi ministri Veliaj.
Deri tani, pranë Ministrisë së Financave i kanë dorëzuar certifikatat dhe numrin e llogarive bankare rreth 1400 ish të burgosur politikë, nga 2400 gjithsej, të cilët përfitojnë sipas kritereve të reja të ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë./ATSH/