Treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.4 pikë në muajin dhjetor. Megjithatë, niveli aktual qëndron rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e këtij muaji u ndikua kryesisht nga dobësimi i treguesve në sektorët e shërbimeve dhe të industrisë.  Rritje regjistroi treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit.

Treguesi i besimit të industrisë regjistroi një rënie të lehtë me 0.2 pikë përqindje në muajin dhjetor, i ndikuar nga pritjet në rënie për porositë nga eksportet. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen kanë regjistruar rritje, ndërkohë që çmimet e produkteve që do të prodhojnë në të ardhmen priten të mbeten pothuajse të njëjta.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 4.5 pikë përqindje. Në rritjen mujore ndikuan të dy komponentët, si vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe ai i porosive aktuale. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar me rritje.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 2.8 pikë përqindje në muajin dhjetor, ndikuar nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës. Pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen janë rishikuar për poshtë, ndërkohë që janë rishikuar për lart çmimet në të ardhmen.

Treguesi i besimit në tregti regjistroi një vlerë thuajse të njëjtë me atë të muajit të kaluar. Niveli qëndron rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike. Vlera aktuale u ndikua nga vlerësimet në rënie të ecurisë aktuale të biznesit dhe në rritje të pritjeve për punësimin, ndërsa pritjet për ecurinë e biznesit dhe për çmimet në të ardhmen regjistruan rënie.

Treguesi i besimit konsumator nuk pësoi ndryshime krahasuar me muajin e kaluar, duke qëndruar rreth 1.5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Vlerësimi për situatën ekonomike në të ardhmen dhe blerjet aktuale në shuma të mëdha u rritën këtë muaj, ndërkohë, në kahun tjetër, pritjet për situatën financiare dhe blerjet e mëdha ishin më pak optimiste. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

Të dhënat me frekuencë tremujore tregojnë se gjendja financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve e bizneseve u përmirësuan në tremujorin e katërt. Në veçanti, në sektorët e industrisë dhe ndërtimit, balanca e gjendjes financiare regjistroi rritje, ndërkohë që në dy sektorët e tjerë, ky tregues u pakësua. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra në sektorët e industrisë, ndërtimit dhe u rrit në sektorin e shërbimeve dhe atë të tregtisë./ SCAN