TIRANË- Në një kohë kur lufta në Ukrainë ka dhënë pasojat e para ekonomike në vendet e tjera të Europës, kryeministri Edi Rama thotë se vendi ynë ka gjetur një mekanizëm për të mbrojtur biznesin e vogël. Për këtë sjell një tabelë, ku sipas tij tregohet qartë që Shqipëria është i vetmi vend në rajon, por edhe në Europë që ka taksën zero për biznesin e vogël. Nga ana tjetër, Rama thotë se biznesi i vogël në vendin tonë nuk paguan as TVSH, ndryshe nga vendet e rajonit. 

"Ndërkohë ja edhe fakti tjetër, i vetmi vend në rajon dhe në Europë me ZERO taksë për biznesin e vogël, sepse për ne kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak paguan më pak", shkruan Rama.

Ndërkohë ndalur te biznesi i madh, Rama thotë se Shqipëria që nga viti 2014 ka taksën më të lartë në rajon për biznesin e madh. Sipas grafikut, Shqipëria dhe Serbia e kanë taksën për biznesin e madh 15 %, më pas renditet Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut me 10%, ndërsa Mali i Zi 9%.

" Qysh prej vitit 2014 Shqipëria ka taksat më të larta në rajon për Biznesin e Madh dhe numrin më të lartë të akuzave e sharjeve për të kundërtën", shkruan Rama.

Për kryeministrin, kjo është masa e duhur për të mbrojtur biznesin në këto kohë krizë, që ato që fitojnë më shumë, taksohen më shumë, teksa ka prezantuar edhe një paketë që e ka quajtur 'Paketa e Rezistencës Sociale' e përbërë nga 7 pika, sipas së cilit synohet mbrojtja e konsumatorëve përballë rritjes së çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë.  

1.    36 milionë $ për indeksimin e pensioneve (637,542 përfitues)
2.    Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj (434 mijë  përfitues)
3.    14 milionë $ mbështetje për fermerët me naftë pa taksa (+ 5 milionë $)
4.    5 milionë $ mbështetje për të gjithë qytetarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetëse
5.    Nga muaji prill:
-    Zero taksë për pagat deri në 40 mijë
-    Përgjysmim takse mbi pagat deri në 50 mijë lekë
-    Ulje e taksës mbi pagat nga 150 deri në 200 mijë lekë
6.    Paga minimale rritet në 32 mijë lekë
7.    200 milionë $ financim i mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:38
Rama publikon tabelën: Shqipëria e vetmja në rajon, zero TVSH për biznesin e vogël

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër tabelë, ku tregon se biznesi vogël në Shqipëri nuk paguan TVSH në ndryshim nga vendet e tjera në rajon.

“Ja edhe ngarkesa e TVSH mbi biznesin e vogël, të cilin do të vazhdojmë ta mbrojmë edhe nga rritja e çmimit të energjisë, siç po mbrojmë të gjitha familjet po ashtu, si askund tjetër ku faturat e energjisë po kripen vijimësisht”, shkruan Rama.