Rritja e depozitave në euro nuk ndalet as në muajt e parë të 2023

Rritja e depozitave në euro nuk ndalet as në muajt e parë të 2023

Rritja e depozitave në euro nuk është ndalur as në muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shkurt totali i depozitave bankare në monedhën europiane arriti në pothuajse 6.4 miliardë euro.

Ndërkohë që depozitat në total dhe veçanërisht ato në lekë për muajin shkurt pësuan një rënie të fortë, depozitat në euro u shtuan me 17 milionë euro krahasuar me janarin dhe me 80 milionë euro që nga fillimi i vitit.

Krahasuar me një vit më parë, depozitat në euro rezultojnë në rritje me 16.5%, duke konfirmuar ritme të rritjes shumë më të larta krahasuar me depozitat në monedhën vendase. Në periudhën pas pandemisë, depozitat në euro në sektorin bankar shqiptar janë rritur me rreth 45%.

Risia në strukturën e depozitave gjatë muajve të fundit është një rritje në segmentin e depozitave me afat. Rritja e normave të interesit ka bërë që gradualisht depozituesit të vendosin më shumë fonde në depozita me afat. Struktura e depozitave në euro vazhdon të dominohet nga individët, me rreth 74% të totalit.

Rritja e vazhdueshme e depozitave në euro dëshmon rritjen e prurjeve valutore në ekonominë shqiptare. Bilanci i pagesave po shfaq tendenca pozitive, me rritje të flukseve hyrëse të valutës nga turizmi, rritja e eksporteve të shërbimeve, remitancat dhe nga investimet e huaja.

Sektori i turizmit po jep kontribut në rritje dhe bilanci neto i të ardhurave vitin e kaluar arriti vlerën rekord prej 1.07 miliardë eurosh, në rritje vjetore me 27.3%, ndërsa remitancat për vitin 2022 arritën në 834 milionë euro, në rritje me 9.6% krahasuar me vitin 2021.

Investimet e huaja direkte shënuan një rekord të ri historik dhe arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë. Përveç prurjeve të dokumentuara nga statistikat zyrtare, vlerësohet se një rol të rëndësishëm në rritjen e prurjeve valutore në ekonomi kanë edhe aktivitetet informale dhe ato të jashtëligjshme.

Të gjitha bashkë po sjellin një shëndoshje me ritme të larta të depozitave bankare në euro, duke i bërë ato gjithnjë e më dominuese në strukturën e kursimeve të shqiptarëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të gjashtëmujorit të dytë 2022, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave shënoi nivelin 55%, 3.2 pikë përqindje më shumë krahasuar me një vit më parë.

Shifrat tregojnë se depozitat në valutë dhe sidomos në euro po vazhdojnë të thellojnë epërsinë edhe në muajt e parë të këtij viti.

Efektet e prurjeve të larta valutore në ekonominë shqiptare po shfaqen gjithnjë e më të forta edhe në kursin e këmbimit valutor. Në fund të vitit 2022 euro preku nivelin më të ulët historik, në vlerën e 112.83 lekëve, ndërsa në fundin e tremujorit të parë të këtij viti po i afrohet shumë këtyre niveleve.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, ditën e enjte euro këmbehej me 113.35 lekë dhe tremujori i parë ka shfaqur një tendencë të qartë në rënie, çka e bën gjithnjë e më të ngjashme prekjen e rekordeve të reja në rënie./Monitor

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 31/03/2023 09:24

    Rriten depozitat sepse futen euro me thase nga te kater anet. Duam amnistine fiskale apo jo or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Bournemouth turpëron Manchester Unitedin, e mposht 0-3 në

VIDEO/ Bournemouth turpëron Manchester Unitedin, e mposht 0-3 në "Old Trafford"