/ATSH/- Në kuadër të nismës rajonale "ADRION", në vendin tonë po zhvillohet stërvitja detare rajonale "ADRION LIVEX 2015", e cila synon rritjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet forcave detare të vendeve që lagen nga Deti Adriatik dhe Deti Jon me qëllim rritjen sigurisë detare të rajonit.
Sot, në prag të përfundimit të saj, në rajonin e Gjirit të Durrësit u zhvillua Dita e Vizitorëve të Shquar, ku përveç trupave dhe mjeteve pjesëmarrëse në strëvitje, ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi,  ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, të Komandës së Forcës Detare etj.
Zv.ministri i Mbrojtjes dhe ushtarakët e lartë që e shoqëronin ndoqën nga afër një demonstrim bordimi vertikal në anije të kryer me mjaft dinamizëm e përkushtim nga trupa të Forcave tona Speciale, të cilët vepruan që nga helikopteri "Cougar" i Forcës Ajrore Shqiptare. 
Me këtë rast, zv.ministri i Mbrojtjes Koçi vlerësoi me nota mjaft pozitive trupat pjesëmarrëse në këtë stërvitje të përbashkët për angazhimin e tyre maksimal, përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë të manifestuar përgjatë gjithë dinamikës së sëtvitjes dhe shprehu njëkohësisht gatishmërinë e palës shqiptare për të realizuar stërvitje të tilla edhe në të ardhmen, të cilat do t'i shërbejnë rritjes së sigurisë në rajonin tonë.
Seriali i stërvitjeve "ADRION" ka filluar për herë të parë në vitin 2006 me organizimin dhe zhvillimin e stërvitjes "ADRION-06 LIVEX" në Ankona (Itali). Ndërsa në vendin tonë stërvitja "ADRION LIVEX" është zhvillua për herë të parë në vitin 2009.
Në stërvitjen "ADRION LIVEX 2015" Forcat Detare Kroate marrin pjesë me anijen "Vukovar", Forca Detare e Greqisë me anijen "Blessas", Forca Detare Italiane me anijen "Libra" dhe Forca Detare Malazeze me anijen "Kotor".
Forca Detare Shqiptare angazhoi në këtë stërvitje 4 anijet e klasit "Iliria" dhe një anije të klasit "Era". Ndërsa Forca Ajrore Shqiptare mbështeti stërvitjen me një helikopter "Cougar".
Përveç Forcave Detare të rajonit në stërvitje mori pjesë edhe një ekip nga NATO Maritime Interdiction Operation Training Center (NMIOTC), i cili trajnojë  dhe stërviti ekipet e bordingut, pjesëmarrëse në stërvitje gjatë fazës stërvitore në tokë, si dhe i vlerësojë ato gjatë fazës stërvitore në det.
Anijet pjesëmarrëse në stërvitje gjatë fazës së veprimeve stërvitore në tokë qëndruan të akostuara në portin e Durrësit. Gjatë kësaj faze u zhvilluan konferenca, trajnime dhe ëorkshope  të ndryshme me efektivat e anijeve me qëllim përpunimin e elementëve të stërvitjes.
Faza stërvitore në det u zhvillua më datë 10-11 qershor 2015 duke zbatuar me përpikmëri dhe displinë të gjithë skenarët e parashikuar për këtë stërvitje të rëndësishme rajonale.