Avokati Plarent Ndreca nuk është lejuar të takojë kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili prej 3 ditësh është transferuar në burgun e Fierit.

Avokati ka shkuar për vizitë, por nuk është lejuar të hyjë pasi i është thënë se ka shkuar jashtë orarit zyrtar sepse vizitat në burg parashikohen nga e hëna në të premte, deri në orën 16:00. Ndreca është duke kryer në këto momente një kallëzim penal në Prokurorinë e Fierit për shpërdorim detyre ndaj të gjithë punonjësve përgjegjës për pengimin e ushtrimit të detyrës së tij si avokat dhe ndalimin për t’u takuar me Veliajn.

Për situatën, avokati Ndreca iu drejtua menjëherë drejtorit të burgut me një mesazh ku cilëson se është hera e dytë që gjendet në të njëjtën situatë. Ai kërkon prej tij ndërhyrje të menjëhershme.

Mesazhi i Ndrecës:

Drejtor,

Është hera e dytë që përsëritet e njëjta situatë. Edhe sot po pengohem të hyj në institucion dhe të takohem me klientin tim.

Po ju rikujtoj edhe një herë se neni 51 i ligjit parashikon shprehimisht të drejtën e avokatit për të takuar klientin e tij në çdo kohë.

Pengimi i ushtrimit të detyrës sime si mbrojtës cenon drejtpërdrejt të drejtat kushtetuese të klientit tim sjell përgjegjësi penale për personat përgjegjës, përfshirë veprën e shpërdorimit të detyrës.

Nuk kam ardhur këtu për të përshkallëzuar situatën, për ta bërë publike apo për ta kthyer në çështje penale. Kam ardhur vetëm për të ushtruar detyrën time si avokat. Por përsëritja e kësaj pengese po më detyron të ndërmarr veprime ligjore.

Ju kërkoj të ndërhyni menjëherë dhe të garantoni zbatimin e ligjit!

Në të kundërt, do të detyrohem t’i drejtohem oficerit të policisë gjyqësore në shërbim për të paraqitur kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj të gjithë punonjësve përgjegjës për pengimin e ushtrimit të detyrës sime.

Respektimi i ligjit nuk është çështje vullneti apo diskrecioni të punonjësve të institucionit. Është detyrim!

Sipas ligjit, pala mbrojtëse mund të takohet me klientin në çfarëdo kohe.

Ligji nr. 81/2020: neni 51, pikat 1 dhe 6, për hyrjen pa autorizim:

Neni 51

Hyrja në institucion

1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga: Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri, ministri i Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, deputetët, zëvendësministri i Drejtësisë, Avokati i Popullit, komisionerët dhe ndihmëskomisionerët e tij, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe zëvendësit e tij, drejtori i Policisë së Burgjeve, drejtori dhe inspektorët e kontrollit të brendshëm të burgjeve, anëtarët e komisionit të ekzekutimit të vendimeve penale, gjyqtarët dhe prokurorët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, mbrojtësit e të burgosurve, si dhe oficerët e Policisë Gjyqësore të deleguar.

Pika 6 e të njëjtit nen:

6. Personat e tjerë, që nuk parashikohen në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, mund të hyjnë në institucion vetëm me autorizim të drejtorit të institucionit.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:53
Ndrecës i pengojnë takimin me Veliajn në burgun e Fierit: Justifikimi është që jam jashtë orarit zyrtar, debati nisi dje! Më ka kërkuar kryebashkiaku, ende s’kemi folur

Nga Prokuroria e Fierit ku ndodhet për të bërë kallëzim penal për shpërdorim detyre punonjësve përgjegjës që nuk e lejojnë të takohet me Erion Veliajn, Plarent Ndreca shpjegon se debati vijon që prej ditës së djeshme.

Deri më tani punonjësit i kanë thënë se kërkon të zhvillojë vizitë jashtë orarit zyrtar duke mohuar të drejtën e avokatit për t’u takuar në çdo kohë me klientin.

Ndreca shton se është kryebashkiaku Veliaj ai që e ka kërkuar, por deri më tani s’kanë pasur komunikim mes tyre.

“Justifikimi është sikur nuk ka personel, sikur ka një rregullore që ndalon hyrjen jashtë orarit zyrtar ndërkohë që iu komunikova që ka një ligj që duhet respektuar, përcakton shumë qartë që avokati, prokurori e gjyqtari hyjnë në çdo kohë. Bëmë një debat të vazhdueshëm që vijon nga dita e djeshme. Dje u bindën.

Qëndrova për rreth 20-30 minuta duke bërë diskutime me oficerin e rojes. Komunikonte me dikë, se di me kë. Kjo është shkelje e paprecedentë dhe absursde se unë nuk i marr leje as Drejtorisë së Burgjeve sepse është një e drejtë kushtetuese. Unë jam kërkuar nga klienti im për të qenë prezent sot. Kemi lënë një seancë intervistimi, komunikimi me njëri-tjetrin dhe kjo nuk mund të bëhet sipas axhendës së Drejtorisë së Burgjeve por sipas axhendës që ne kemi përcaktuar. Ky është një hap i panevojshëm. Unë s’kam ardhur as për ta eskaluar, as publikuar, as për të bërë kallëzim penal sepse do të shkaktojë pasoja pastaj në komunikimin me klientin. Akoma s’kam komunikuar. Jam ndaluar të komunikoj me të”, tha Ndreca.