TIRANE, 4 Shkurt /ATSH-E,Xhajanka/- Rritja vjetore ekonomike u mbështet nga zgjerimi i aktivitetit në të gjitha  degët e ekonomisë, por kontributin më të madh e dha sektori i shërbimeve, me 1.9 pikë përqindje dhe sektori prodhues me 1.4 pikë përqindje.
Banka e Shqipërisë, gjatë prezantimit të raportit të Politikës Monetare për 3-mujorin e IV të 2014, evidenton se, aktivitetet e sektorit, ndërtim, industri, dhe bujqësi e rritën vlerën e shtuar në ekonomi përkatësisht me 0.8, 0.4 dhe 0.2 pikë përqindje.
Sipas BSH-së, rezultatet e vrojtimeve, siç dëshmohet nga tendenca rritëse e treguesit të ndjesisë ekonomike dhe e treguesve të tjerë të besimit, sugjerojnë se ecuria e aktivitetit ekonomik do të mbetet pozitive edhe në tremujorin e katërt të vitit 2014. Ecuria e sektorit të industrisë rezultoi pozitive në tremujorin e tretë të vitit. Vlera e shtuar e aktivitetit industrial shënoi rritje vjetore me 2.4%, pas rënies me të njëjtën normë në tremujorin e dytë. Ndërkohë dega e industrisë nxjerrëse vijoi të kontribuojë në masën më të madhe, me 1.9 pikë përqindje, në përmirësimin e performancës së sektorit të industrisë.
Në tremujorin në analizë, vlera e shtuar nga dega e industrisë përpunuese shënoi gjithashtu një rritje vjetore 0.9%, e cila llogaritet të ketë kontribuar me 0.5 pikë përqindje në zgjerimin e industrisë. Treguesit e vrojtimeve në sektorin e industrisë kanë ndërprerë tendencat rritëse në tremujorin e katërt të vitit, duke sugjeruar për ngadalësim të aktivitetit në këtë sektor.
Ecuria tremujore e prodhimit në ekonomi analizohet në terma të vlerës së shtuar bruto reale, deri në tremujorin e tretë të vitit 2014. INSTAT-i publikoi të dhënat në 9 janar të vitit 2015. Vlerësimet tremujore të ecurisë ekonomike nga INSTAT-i nuk përmbajnë vlerësime me frekuencë tremujore të taksave dhe të subvencioneve mbi produktet. Për rrjedhojë, analiza tremujore nuk trajtohet në terma të prodhimit të brendshëm bruto. Diferencat në normat vjetore të ecurisë së vlerës së shtuar të degëve referuar në këtë raport, krahasuar me raportin e mëparshëm tremujor të politikës monetare, burojnë nga publikimi paraprak i vlerës së shtuar bruto vjetore për vitin 2013, por edhe përditësimi i të dhënave bazë të përdorura në vlerësim, bën të ditur Banka e Shqipërisë./a.g/