Një rritje prej 22 lekësh për litër për naftën nuk kishte ndodhur në asnjë prej vendimeve të Bordit të Transparencës. Nga sot nafta do të shitet me 245 lekë për litër nga 223 lekë për litër që ishte. Ky vendim ka ardhur pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit.

Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit. Gazi do të tregtohet me 78 lekë për litër, aq sa ishte deri tani.

Organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të mërkurën që të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme tek ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi, dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor.



Gjatë takimit në Vjenë, Ministrat e Energjisë të vendeve të OPEC-ut vendosën të ulin prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar në muajin nëntor. Ky është takimi i parë ku ministrat marrin pjesë personalisht që nga fillimi i pandemisë.

Ulja e prodhimit në nëntor mund të sjellë përfitime për Rusinë, anëtare e OPEC-ut, ndërsa vendet evropiane janë angazhuar për t’i dhënë fund importit të naftës ruse sa më shpejt të jetë e mundur.
Përveç një uljeje simbolike të prodhimit të naftës muajin e shkuar, shkurtimi drastik është një kthesë e papritur, ndërsa OPEC-u kishte vazhduar të shtonte prodhimin pas shkurtimeve të thella të bëra gjatë pandemisë.

OPEC+ tha përmes një deklarate se vendimi bazohej në “pasigurinë për perspektivat e ekonomisë globale dhe tregun e naftës”. Presidenti Joe Biden shprehu zhgënjimin me vendimin që Shtëpia e Bardhë e konsideroi “dritëshkurtër”.

                 Ishte            Bëhet
Nafta        223 lekë      245 lekë
Benzina   198 lekë      204 lekë
Gazi         78 lekë        78 lekë
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:25
Rritja e çmimit të naftës, Partia e Lirisë: Rama me oligarkët e tij po zhvatin qytetarët shqiptarë

1665067377_SekretariiPergjithshemiPartiseseLiriseTediBlushideklaratepermediat.00000503.Still001.jpg

Partia e Lirisë ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës nga Bordi i Transparencës.  Ndonëse është sqaruar se vjen pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit, sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi shkruan se është zhvatje nga Edi Rama dhe oligarkët që sipas tij vjedhin pa mëshirë.

Ndër të tjera bën një krahasim të pagës minimale duke thënë se Shqipëria ka çmimin më të shtrenjtë të naftës në krahasim me shtetet që kanë pagën minimale më të lartë në të gjithë Europën.

Postimi i plotë

Bordi Hajdut vendosi të rritë përsëri çmimin e naftës në 245 lekë/litër.

Shqipëria, vendi më i varfër i kontinentit, ka aktualisht çmimin më të shtrenjtë krahasuar me pesë shtetet që kanë pagën minimale më të lartë në të gjithë Europën.

Kjo është zhvatje, asgjë tjetër!

Sa herë të ndaleni në çdo pikë karburanti, aty ju pret Edi Rama me të gjithë oligarkët e tij të naftës, që futin duart në xhepin tuaj për t'ju vjedhur pa mëshirë!

KRAHASIMI FLET QARTË:

SHQIPËRI

Paga minimale 291 euro/muaj

Çmimi i naftës 2.1 euro/litër

LUKSEMBURG

- Paga minimale 2,202 euro/muaj

- Çmimi i naftës 1,83 euro/litër

GJERMANI

- Paga minimale 1,976 euro/muaj

- Çmimi i naftës 2,0 euro/litër

IRLANDË

- Paga minimale 1,775 euro/muaj

- Çmimi i naftës 1,87 euro/litër

HOLLANDË

- Paga minimale 1,701 euro/muaj

- Çmimi i naftës 1,94 euro/litër

FRANCË

- Paga minimale 1,645 euro/muaj

- Çmimi i naftës 1,69 euro/litër