Rrjedhje nga bombola e gazit, përfshihet nga flakët një shtëpi në Malësi të Madhe, plagoset e zonja e shtëpisë! Fqinji tregon si i nxorri nga shtëpia: Thyeva xhamin dhe derën
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme. Në një shtëpi në fshatin Polvar, Njësia Administrative Qendër Malësi e Madhe ka marrë flakë bombola e gazit dhe njëra prej dhomave të shtëpisë është përfshirë nga zjarri.
Redaksia 7 Korrik 2021, 09:36 | Përditesimi: 7 Korrik 2021, 11:57
MALËSI E MADHE-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme. Në një shtëpi në fshatin Polvar, Njësia Administrative Qendër Malësi e Madhe ka marrë flakë bombola e gazit dhe njëra prej dhomave të shtëpisë është përfshirë nga zjarri.
Ka qenë e menjëhershme ndërhyrja e zjarrfikësve nga qyteti i Koplikut që kanë arritur ta vënë nën kontroll zjarrin që rrezikonte gjithë shtëpinë e Agim Kukajt.
Burimet bëjnë të ditur se është djegur njëra nga dhomat, ka shumë dëme materiale ndërkohë që ka pësuar djegie e zonja e shtëpisë Sadete Kukaj, që po merr ndihme mjekësore në Urgjencën e spitalit Rajonal Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06: 00 të mëngjesit.
Një nga fqinjët, Ymer Brahimaj ka shpjeguar se si ndodhi ngjarja dhe se si i nxori nga shtëpia djalin dhe të ëmën.
“Kam qenë duke mbushur ujë dhe më thirrën. Kam thyer xhamin dhe derën. Mendoja për djalin. Hipa prej shkallëve tek dhoma sipër, vura shkallë druri. Mora zorën e ujit dhe po e hidhja në kuzhinë. Zonjën e shtëpisë e kemi gjetur në tokë. Ambulanca erdhi dhe policia. Bëhet fjalë për bombulën e gazit, ne nuk dëgjuam gjë” – tha ai.
Ndërkohë, vëllai i Sadetes, Can Kukaj tha se motra e tij ka pësuar djegie në trup, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Po bënte mëngjesin për djalin dhe burrin. Ka ndodhur fatkeqësia. Është djegur në pjesën e gjoksit pak, krahu është djegur shumë, në fytyrë pak. Nuk është në gjendje kritike për jetën", ka thënë ai.