TIRANË- Kolumbiani 25-vjeçar Lucas Betancur rekrutonte vajza në Amerikën Latine dhe organizonte udhëtimin e tyre në Shqipëri. I riu i arrestuar në Kolumbi si kreu i një rrjeti të fuqishëm të prostitucionit, nuk i tregonte vajzave arsyen e vërtetë se përse po vinin në Shqipëri.

Vetëm kur mbërrinin në vendin tonë, vajzat detyroheshin të prostituonin, e në rast se kundërshtonin, në Kolumbi, Lucas Betancur, kërcënonte familjarët e tyre. Në disa raste, 25-vjeçari u merrte peng motrat ose nënat në Kolumbi, e kështu nën këtë kërcënim për jetën e familjarëve të tyre, vajzat në Shqipëri vijonin të ushtronin prostitucionin jashtë dëshirës së tyre.

25-vjeçari ishte menaxheri kryesor i disa faqeve online të prostitucionit, “Happy Escort” dhe “Euro Girls”, aty ku reklamohen për shërbime seksuale me dhjetëra vajza të kombësive të ndryshme.

Në vendin tonë, kolumbiani kishte të paktën 7 bashkëpunëtorë, të cilët ranë në pranga në Shqipëri pas një hetimi 8 mujor të Antitrafiqeve të Tiranës dhe autoriteteve kolumbiane

Dritan Sukaj, 37 vjeç, i gjente akomodim vajzave dhe menaxhonte më tej rrjetin e prostitucionit. Ilmar Gugashi, 35 vjeç, krijoi strehë prostitucioni edhe në një hotel në rrugën “Reshit Çollaku”, jo shumë larg Gjykatës së Lartë në Tiranë.

Në hotel “Alindro” u gjetën vajza nga Kazakistani, të cilat shfrytëzoheshin nga Assel Adrysheva, 43 vjeç dhe Kejvin Ndreu 25 vjeç. Bashkëpunëtorë të tjerë të kolumbianit, siç është dhe Rostyslav Mieshkov sillnin vajza në Shqipëri edhe nga vendet aziatike.

Prokuroria e Tiranës që udhëhoqi hetimet tha se 2 të tjerë, në Shqipëri janë në “detyrim paraqitje” dhe 2 persona u shpallën në kërkim. 48 vajza të huaja, të cilat u shfrytëzuan për prostitucion, po hetohen në gjendje të lirë.

I arrestuari tjetër Denis Berisha, 39 vjeç, u jepte disa vajzave drogë dhe u siguronte klientë për prostitucion. Kenado Prela, 20 vjeç, i arrestuar më herët gjatë muajit korrik, mblidhte të ardhurat e përfituara nga prostitucioni dhe i transferonte ato në kriptovalutë, në llogaritë e kreut kolumbian të grupit kriminal.

Lucas Betancur nuk ishte i vetëm as në Kolumbi. Krah të djathtë kishte babanë e tij, Mario Betancur, i cili dirigjon të gjithë rrjetin e trafikut në Europë. Edhe babai u arrestua në Kolumbi, dhe deri më tani nuk ka prova se është i implikuar drejtpërdrejt edhe me rrjetin e prostitucionit në Shqipëri.

Për kryerjen e këtij operacioni të përbashkët, një delegacion i autoriteteve shqiptare, zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, shefi i sektorit të Antitrafiqeve, Arbër Zemani, prokurori Ritvan Suka, dhe oficerja shqiptare e kontaktit në Hagë, udhëtuan në Medelin. Në operacion morën pjesë edhe 1 oficer nga Kroacia dhe Europol.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:23
Goditja e rrjetit të prostitucionit në Shqipëri, në hetime edhe Europol e Eurojust: Janë shfrytëzuar mbi 50 vajza

1759483390_operacioninekolumbi.jpg

Dy agjencitë ligjzbatuese europiane Europol dhe EUROJUST, kanë reaguar në lidhje me goditjen e grupit kriminal që trafikonte vajza nga Amerika Latine në Shqipëri dhe disa vende të tjera.

Përmes një njoftimi, Europol bën me dije se rrjeti i përbërë kryesisht nga shtetas kolumbianë, rekrutonte dhe transportonte gra nga Kolumbia në Evropë. Ndërsa viktimat iu nënshtruan shfrytëzimit seksual në disa vende evropiane, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë.

“Një rrjet kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas kolumbianë, rekrutonte dhe transportonte gra nga Kolumbia në Evropë. Pasi binin nën kontrollin e rrjetit, viktimat iu nënshtruan shfrytëzimit seksual në disa vende evropiane, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë. Të dyshuarit vepronin me një nivel të lartë lëvizshmërie, gjë që ndërlikonte hetimet kombëtare. Bashkëpunimi ndërkombëtar midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kolumbisë, i lehtësuar përmes Europolit, ishte thelbësor në lidhjen e organizatorëve kryesorë me bashkëpunëtorët vendas që vepronin në emër të tyre në vendet e tranzitit dhe vendet e shfrytëzimit. I dyshuari kryesor, i identifikuar si një Shënjestër me Vlerë të Lartë brenda një task force të Europolit, koordinonte aktivitetet e grupit, duke u distancuar gjithashtu nga shfrytëzimi i drejtpërdrejtë”, shkruan Europol.

Ndërsa EUROJUST shkruan se 17 persona të dyshuar për trafik personash, janë arresuar, ndërsa gjatë 16 kontrolleve në shtëpi u gjetën prova që do të përdoren në hetime të mëtejshme mbi grupin kriminal. Po ashtu sipas EUROJUST janë shfrytëzuar mbi 50 vajza për këtë aktivitet kriminal.

“Një ditë aksioni rezultoi në shpërbërjen përfundimtare të rrjetit kriminal, me operacione të njëkohshme të kryera në Shqipëri dhe Kolumbi. U identifikuan pesëdhjetë e katër viktima nga Amerika e Jugut dhe u arrestuan 17 të dyshuar, 7 në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi, përfshirë një objektiv me vlerë të lartë. Gjatë 16 kontrolleve në shtëpi, autoritetet mblodhën prova dhe pajisje që”, thekson Europol.

 

 

 

Ora 12:33
Trafik vajzash për prostitucion nga Azia dhe Amerika Latine në Shqipëri, zbulohet identiteti i organizatorit! I kërcënonte se do t'u merrte peng familjet nëse ato hiqnin dorë

1759487667_columbianiiarrestuarlucas.jpg

Foto:Lucas Betancur

Lucas Betancur, 25 vjeç, i konsideruar si kreu i rrjetit kriminal të prostitucionit, i goditur nga Antitrafiqet e Tiranës dhe autoriteteve kolumbiane, rezulton të jetë menaxheri kryesor i faqeve online të prostitucionit, “Happy Escort” dhe “Euro Girls”, përmes së cilave me dhjetëra vajza kolumbiane dhe të kombësive të ndryshme reklamohen për shërbimet e tyre seksuale kundrejt pagesës.

Aktivitetin e sjelljes së vajzave të Amerikës Latine dhe jo vetëm, nuk e kishte shtrirë vetëm në Shqipëri, por thuajse në të gjithë Ballkanin dhe Europë.

Prova kundër tij në Kolumbi, përveç Shqipërisë, dërguan edhe vende si Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Gjermania. Autoritetet shqiptare mundën të marrin deklarimin e të paktën 40 vajzave të huaja që janë shfrytëzuar për ushtrim prostitucioni në Shqipëri, duke siguruar kështu pjesën më të madhe të materialeve kundër Betancur.

Burime nga Antitrafiqet e Tiranës bëjnë me dije se 25-vjeçari, pasi arrinte të rekrutonte vajzat, u paguante udhëtimin drejt Shqipërisë, ku më pas nisnin edhe aktivitetin e prostitucionit. Në rastet kur vajzat donin të hiqnin dorë nga puna, u bënte presion dhe kërcënonte vazhdimisht. Autoritetet kolumbiane kanë mundur të sigurojnë prova se ai arrinte deri në marrjen peng të familjarëve të vajzave në Kolumbi, përfshirë motrat apo nënat e vajzave.

Nën kërcënim ato vijonin punën në Tiranë. Në Kolumbi, në mesin e të arrestuarve është edhe Mario Betancur, babai i 25-vjeçarit, i cili është kreu i grupi të trafikut, por deri më tani ndaj tij nuk janë gjetur prova për implikimin brenda Shqipërisë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • zas: 03/10/2025 18:39

    Eshte turp qe nje shtet arreston vajza qe jane te trafikuara.Vajza qe jane te detyruara te prostituojne nen kercenimin e dhunes ndaj tyre dhe familjareve te tyre. Shteti duhet ti ndihmoje tu bashkohen familjeve te tyre dhe ti marre ne mbrojtje prej trafikanteve jo ti arrestoje.

    Përgjigju
    • Pjeter: 05/10/2025 11:00

      Policia dhe organet ligjzbatuese ,vetem aplikojne ligjet,nuk mund ti ndryshojne ato,e ne Shqiperi eshte e jashteligjeshne prostitucioni,si per ata qe e ofrojne,edhe per ara qe e konsumojne,akoma ne keq per ata qe e organizojne,keshtu qe arrestimet jane te detyrushme,pikerisht,per te sqaruar se kush eshte e trafikuar dhe kush me deshire.

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?