TIRANË- Gjashtë anëtarët e rrjetit të mashtrimit me Call Center do të dalin sot para Gjykatës së Posaçme për tu njohur me masat e sigurisë. Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi u arrestuan pasi SPAK dhe BKH mësynë në dy kulla luksoze në Tiranë për të goditur këtë rrjet i cili kishte mashtruar qindra qytetarë europianë, ndërsa dy punonjës u ndaluan.
Grupi i të arrestuarve ishin kryesisht personat që transportuan pajisjet e Call Center nga kulla “Atti Tower” në një ambient tjetër të marrë me qira në kullën “Downtown One”. Sipas hetimeve në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka rezultuar se drejtues të këtij rrjeti janë 3 vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, të cilët janë shpallur në kërkim. Ata lëviznin me një Ferrari në rrugët e Tiranës, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor. Siç thonë burime për Report Tv, mjeti luksoz rezulton i marrë me qira në Gjermani, ndërsa po vijojnë kërkimet për kapjen e 3 vëllezërve.
Hetimet për këtë grup nisën pasi nga emisioni investigativ italian “Le Iene” u dorëzuan materiale, mes të cilave pamje filmike, përmes së cilave u identifikua edhe një Call Center i ndodhur në dy kate në kullën “Atti Tower”, përballë Katedrales Ortodokse në Tiranë. Nga videot e filmuara nga gazetari italian i “Le Iene” që ishte i infiltruar si punonjës në këtë call center, pikërisht në zyrat e vendosura në katin e 9-të dhe të 13-të shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Menjëherë sapo pa pamjet dhe konfirmoi vendin, SPAK nisi punën hetimore. Por këto hetime siç duket janë pikasur nga grupi kriminal. Sipas SPAK organizatorët kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Ishin pikërisht vëzhguesit jashtë kullës “Atti Tower” që sipas Prokurorisë së Posaçme mbrëmjen e datës 15 Janar, pas përfundimit të punës, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.
Kur hetuesit e BKH-së kanë shkuar në kullën luksoze më 16 janar i kanë gjeture të boshatisura zyrat, pasi ishin larguar pajisjet dhe personelit. Pas këtij momenti BKH ka identifikuar mjetet që kanë larguar kompjuterat dhe pajisjet e tjera të Call Centerit. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa personave, kryesisht transportues, që kishin lëvizur pajisjet nga “Atti Tower” në një ambient tjetër të marrë me qira në kullën “Downtown One”.
Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancë, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante materiale nga call centeri tjetër, që sapo ishte boshatisur në “Atti Tower”.
Investigimi mori shkas nga ankesat e disa italianëve të mashtruar. “Le Iene” mundi të infiltrojë një person, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat se jo vetëm shqiptarë, por edhe italianë janë përfshirë në krim, që jetojnë në Itali apo Shqipëri. Transaksionet e fituara nga aktiviteti kriminal kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga kokat e grupit.
Lajmi në përditësim....
Komente

Nuk ka ma ven per te burgosur hahahah
Përgjigju