Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dënon dhunën ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila: Autorët të dalin para drejtësisë

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dënon dhunën ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila: Autorët të dalin para drejtësisë

1674739216_aa.jpg

Rrejti i Gazetarëve të Sigurt ka dënuar dhunën ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hilës dhe bashkëshortes së tij. Ky rrejt i bën thirrje autoriteteve që të zbardhin ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë autorët.

Reagimi i plotë

Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dënojnë sot sulmin tronditës fizik ndaj gazetarit shqiptar Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij në Lezhë dhe u kërkojnë autoriteteve shtetërore ligjzbatuese të arrestojnë me shpejtësi autorët e dyshuar dhe të sigurojnë që të gjithë përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Sulmi i dhunshëm ndodhi rreth orës 16:40 të së mërkurës së 25 janarit, një ditë pasi Hila kishte raportuar për shqiptarja.com dhe Report TV për një çështje gjyqësore në Lezhë, ku një i pandehur ishte dënuar me një vit burg për falsifikim të një dokument gjyqësor.

Menjëherë pas publikimit, Hila tha se ka marrë një telefonatë nga një individ i lidhur me të pandehurin, i cili e ka fyer dhe kërcënuar për raportin. Një orë më vonë, një tjetër person e telefonoi Hilën dhe i kërkoi që ta takonte jashtë një lokali në qytet.

Kur gazetari mbërriti në makinë me gruan e tij, dy burra u afruan dhe këmbëngulën që ai të dilte nga automjeti për të shpjeguar mbi artikullin. Gjatë incidentit që pasoi, burrat dyshohet se kanë goditur me grushte dhe shkelma Hilën dhe e kanë goditur me grusht në qafë gruan e tij. Të dy kërkuan trajtim mjekësor pas sulmeve.

Duke folur për mediat pasi u lirua nga spitali, Hila identifikoi publikisht sulmuesit e tij të supozuar dhe tha se dhuna nuk do ta heshtë raportimin e tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Lezhë kanë hapur një hetim penal dhe janë në kërkim të dy të dyshuarve meshkuj.

Organizatat tona mirëpresin veprimin e shpejtë të policisë dhe i bëjnë thirrje që tani të kryejnë një hetim të plotë për të konfirmuar motivin dhe për të arrestuar shpejt autorët e dyshuar. Të gjithë ata që janë përgjegjës për urdhërimin, orkestrimin dhe kryerjen e këtij sulmi të rëndë duhet të përballen me drejtësinë.

Ne mirëpresim gjithashtu dënimin e shpejtë të sulmit nga Presidenti i vendit, Bajram Begaj, dhe theksojmë se denoncimi i zëshëm nga liderët politikë në rastet e dhunës ndaj shtypit duhet të jetë përgjigja standarde në të gjitha incidentet e tilla, tani dhe në të ardhmen.

Ky sulm është një tregues shqetësues i kërcënimeve të vazhdueshme me të cilat vazhdojnë të përballen gazetarët në Shqipëri që raportojnë mbi veprimet e grupeve të krimit të organizuar. Hila u sulmua thjesht për kryerjen e misionit të tij me interes publik për mbulimin e vendimit të një çështjeje gjyqësore.

Siç vunë në dukje shumë nga organizatat tona pas një misioni të fundit për lirinë e medias në Shqipëri, ndërsa sulmet e rënda fizike si kjo fatmirësisht mbeten të rralla, rastet e dhunës ndaj gazetarëve nënvizojnë rreziqet dhe klimën e mosbesimit me të cilin përballen gazetarët për shkak të punës së tyre.

Ndjekja e shpejtë e atyre që qëndrojnë pas këtij sulmi nga autoritetet gjyqësore është jetike për dekurajimin e akteve të mundshme të dhunës kundër medias në të ardhmen dhe për të garantuar drejtësi për viktimat. Duke ecur përpara, organizatat tona do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër këtë rast dhe shpresojnë të shohin zhvillime pozitive në ditët dhe javët në vijim.

Nënshkruar:

ARTICLE 19 Europe
European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
European Federation of Journalists (EFJ)
Free Press Unlimited (FPU)
International Press Institute (IPI)
OBC Transeuropa (OBCT)
Safe Journalist Network


Lajmi kryesor:

Dhuna ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila, BE: Dënojmë sulmin, të bëhet hetim! Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt: Autorët të dalin para drejtësisë


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën