Duke sfiduar reshjet e shiut dhe temperaturat e ulta, në fshatin Pojan të Korçës është organizuar për të 6-shtin vit radhazi ritualin e Rrogeçëve.
Të rinjtë të veshur me kostume popullore dhe veshje të realizuara nga lëkura e dhisë, disa me maska e me armë të improvizuara në duar, kanë marshuar në të gjitha rrugët e fshatit, në biznese dhe banesa të Pojanit.
Personazhet e karnavaleve janë nusja, dhëndri, plaku dhe plaka, ujku, ariu të cilët mbajnë këmborë të bagëtive që simbolizon mirësinë. Fabula e gjithë organizimit është trembja e së keqes dhe fillimi i jetës së re.
“Ky kostum mund të jetë shumë i vjetër, e kanë mbajtur gjyshërit tanë dhe janë trashëguar prej tyre. Pojani ka traditë të veçantë ndryshe nga fshatrat e tjera, që i bëjnë në data të ndryshme.”
“I presim me kënaqësi të madhe. I futim brenda, i qerasim, u japim ndonjë dhuratë. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do mbetet, është mbarësi në shtëpi.”
Ky organizim është një traditë e lashtë, i ndaluar gjatë kohës së komunizmit, por i rikthyer sërish në vitet 90-të.
Komente






