Rrogozi, apo qilimi i kashtës së Myzeqesë, i përdorur prej shekujsh në familjet e zonës dhe jo vetëm, është kthyer sërish në përdorim.
Rikthimi i tij tashmë vjen kryesisht si element dekorativ, por pavarësisht kërkesave, prodhuesit nuk gjenden lehtë.
I vetmi artizan që ende ushtron këtë zanat ka mbetur Myzafer Çekiçi nga fshati Plug i Lushnjës. Prej vitesh, ai gjatë verës mbledh kashtën nëpër kanale, duke e përpunuar më tej në rrogozë.
“Fiksohen litarët këtu në fund me pyka për të pasur tendosjen dhe pastaj fillon punimi”, shpjegon ai.
Myzaferi gjendet çdo ditë në rrugën kryesore, jo shumë larg fshatit të tij. Këtë punë ai tashmë e ka kthyer në burim të ardhurash për veten dhe familjen.
“Unë brenda 6 muajsh me korrjen, tharjen, punimit, shkoj rreth 50 rrogozë. Një e ardhur e mirë për 6 muaj, me 150 euro. Është një rrogë e mirë për moshën time”, shprehet ai.
Qilimat e kashtës, apo rrogozat, blihen kryesisht nga turistët, por jo më pak edhe nga njësi të ndryshme tregtare, kryesisht në zonat bregdetare.
“Zakonisht këto gjejnë përdorim në zona bregdetare, Saranda, Vlora, Durrës. Gjen një gamë të madhe në arredimin e vilave, pjesën ballore të lokaleve, tendave të jashtme”, thotë Çekiçi.
Brenga me të cilën jeton artizani Myzafer Çekiçi është humbja e këtij zanati, ndaj të cilit, siç thotë ai, askush nuk tregon interes, edhe pse ka ofruar kurse falas.
“Brenga ime është që dikujt t’ia lë këtë, por të rinjtë nuk janë të predispozuar që të afrohen dhe mësojnë”, përmbyll artizani.
Komente








