Rrjeti i Organizatave Shqiptare proteston kundër vendimeve gjyqësore, të cilat i konsideron me prapavijë politike dhe kërkon pushimin e çështjeve penale ndaj të rinjve shqiptarë në Maqedoni. Nëpërmjet një deklarata publike, ky rrjet deklaron se po u cenohen liritë themelore njerëzore dhe qytetare.
“Vrasja e dy shqiptarëve në Gostivar nga një polic sllavo-maqedonas dhe rrahja e fëmijëve shqiptarë nga huliganë sllavo-maqedonas pikërisht ditën e 7 Marsit, nuk janë dhe nuk mund të jenë ngjarje të rastësishme. Ato janë maja e akullnajës së urrejtjes etnike që po kultivohet prej kohësh nga sllavo-maqedonasit ndaj qytetarëve shqiptarë të shtetit. Sllavo-maqedonasit e kapur prej etheve megalomane, që fshehin krizën e thellë identitare, nuk mund të pranojnë që shqiptarët në trojet e veta etnike të jenë qytetarë të barabartë të të njëjtit shtet”, thuhet në deklaratë.
Të njëjtin qëndrim, Rrjeti i Organizatave mban edhe për gjyqin ndaj të rinjve shqiptarë që më 28.11.2011 vizatuan në publik hartën e Shqipërisë Etnike.
“ Me anë të saj synohet që të heshten shqiptarët, që të trimërohen edhe më huliganët sllavo-maqedonas dhe sponsorët e tyre politikë”, theksojnë shoqatat.


REAGIMI I SHTETIT SHQIPTAR
Rrjeti i Organizatave Shqiptare shpreh shqetësimin për mosdëshirën e Tiranës e Prishtinës për të mbrojtur interesat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të këtij shteti. RROSH-i u bën thirrje të gjithë subjekteve politike dhe shoqërore shqiptare që të protestojnë kundër keqtrajtimit sistematik ndaj shqiptarëve në IRJM dhe që të solidarizohen me ato forca politike dhe shoqërore shqiptare në IRJM që mbrojnë interesin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.

Organizatat nënshkruese:

Forumi Demokratik për Integrim - Tuz
Illyricum Libertas - Tetovë
Klubi Kombëtar – Tiranë
Lëvizja Qytetare Zgjohu! - Shkup
Lëvizja Vetëvendosje! – Prishtinë
Shoqata Çamëria – Tiranë
Shoqata “Një dollar për Dibrën” - Dibër
Tifozat Kuq e Zi - Tiranë


(aq/shqiptarja.com)