Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe gjatë një inspektimi të bërë në disa prej rrugëve të Fierit dhe Divjakës ka kritikuar firmën mirëmbajtëse për një sërë problemesh duke nisur që nga mungesa e barrierave horizontale tek gjendja tejet e amortizuar në disa akse rrugore.

Siç shihet edhe në postimet e bëra në rrjetin e tij social 'Instagram;, Braçe gjatë një ndalimi në segmentet rrugore të Mertishit, Gradishtës dhe Gungasit në Divjakë i bën thirrje firmës së mirëmbajtjes së rrugës që të investojë për rikonstruksionin e pjesëve të dëmtuara.

“Pushimi i shoferit, Divjakë, mirë këtu mbrapa meje, po këtu para? Shihni shembjen këtu! Ej shikoni, nëse mendoni se jeni të zgjuar dhe ne jemi budallenj, e keni shumë gabim, e mendoni shumë mbrapsht. Nëse ju të zgjuarit mendoni se në 625 milionë lekë kontratë mirëmbajtje, ju do fitoni 300-400 milionë lekë dhe ne do rrimë këtu në këtë gjendje që shembet ditë për ditë pa ndërhyrë ju, e keni shumë gabim. Harrojini 300-400 milionë lekët fitim”- u shpreh Braçe.

Braçe theksoi edhe domosdoshmërinë e pajisjes me sinjalistika dhe barriera horizontale të rrugës Fier-Shegan, konkretisht në vendin që e quan si ‘kthesa e tmerrshme e Zhymit’.