Shqipëria shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Europian dhe brenda muajit qershor pritet të hapë grupkapitullin e katërt. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, autorizoi Presidencën e BE-së dhe Presidenca Polake i dërgoi sot letrën Shqipërisë ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kapitujt e Grupkapitullit 4 përfshijnë fusha shumë të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.
 
Kapitulli 14, i cili trajton politikën e transportit, synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore;
 
Kapitulli 15 lidhet me sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji;
 
Kapitulli 21 fokusohet te rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së, si pjesë e rëndësishme e Korridoreve Evropiane;
 
Ndërsa Kapitulli 27 vlerëson mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, përmes standardeve të larta të BE-së.

Zhvillimi u përshëndet edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilwsoi një hap tjetër drejt Shqipërisë 2030. 

“Sot, më 11 qershor 2025, Shqipëria mori dritën jeshile për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4 – “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.

Ky vendim i vendeve anëtare të BE konfirmon përgatitjen tonë dhe progresin konkret në rrugën drejt familjes europiane. Ky është një hap tjetër drejt Shqipërisë 2030, vend krenar i Bashkimit Europian”, shkruan Rama.

Në një deklaratë për mediat, qeveria tha se "Ky vendim i Bashkimit Evropian konfirmon ecurinë e suksesshme të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Ai është një tregues i qartë i përparimit të prekshëm në përmbushjen e reformave ekonomike, i përgatitjes dhe aftësive të të gjitha institucioneve shqiptare dhe aktorëve ekonomik, si dhe Ekipit Kombëtar të Negociatave për anëtarësim, por njëkohësisht përforcon besimin se Bashkimi Evropian mbështet një proces zgjerimi të drejtë dhe të besueshëm, të bazuar në rezultate konkrete, të matshme dhe përmbushje të standardeve evropiane."

Shqipëria deri më tani ka hapur gupkapitullin e “Themeloreve”, “Marrëdhëniet me jashtë” “Tregun e brendshëm” dhe “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”. Tashmë pritet të hapet “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” dhe mbetet vetëm “Bujqësisë dhe kohezioni”. Me bekimin e Brukselit, Shqipëria aspiron të mbyllë negociatat brenda 2027-ës.

Postimi i kryeministrit Rama