THETH – Prej 8 ditësh, IKMT po vazhdon aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në perlën e turizmit shqiptar, zonën e Thethit. Report Tv solli pamjet e aksionit të mbrëmjes së sotme për prishjen e një tjetër objekti pa leje, ndërsa forcat e policisë dhe inspektorët e IKMT hasën edhe rezistencën e rreth 30 banorëve.

Këta të fundit fillimisht bllokuan rrugën me qëllim që të mos lejonin prishjen e objektit pa leje, duke kërkuar edhe vendim gjykate, por nuk ia dolën të zmbrapsin forcat e IKMT-së. Tensionet zgjatën disa minuta, kohë gjatë së cilës banorët u 'ngujuan'edhe brenda në banesë. Por, më pas fadromat e IKMT rrafshuan objektin pa leje rreth orës 22:00, ndërsa pronarëve iu ishte lënë afat deri në 18:00 që të çmontonin vetë objektin. 

Një tjetër reagim erdhi nga kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në Facebook shkruan se tashmë ka nisur ‘Rilindja Urbane 2.0’, të cilën e quan një domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE. Për aksionin, i cili u ndërmor në kulmin e sezonit turistik, Rama thotë se forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi pa hequr edhe mbeturinën e fundit.

Ndërsa një tjetër godinë masive, siç e përshkruan Rama, pritet të prishet në vijim nga IKMT për të përmbyllur përfundimisht aksionin që ka çuar në përplasje të ashpra mes banorëve të zonës dhe forcave të policisë.

"Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me konstruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të peizazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot.

Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe një godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale. Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE", – shkruan Rama.

Ndërkohë, nesër një grup qytetarësh nga Mirdita pritet të nisen drejt Thethit në mbështetje të banorëve të Dukagjinit nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”.

Prej një jave banorët kanë kundërshtuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, e madje kanë kërkuar edhe dialog me qeverinë.

Por kryeministri Rama, në një takim me deputetë ditën e sotme, përgjigjen ua dha nga Tirana kur tha se nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe se do të rrafshohet çdo projekt pa leje, ndërsa hodhi poshtë aludimet për ndërtimin e resorteve turistike.

Postimi i Ramës