TIRANE - Si përfaqësues i grupimit “Ekolëvizja”, Artan Lame ka dorëzuar në Bashkinë e Tiranës një kërkesë përmes së cilës kërkon të njihet me projektin që ka Bashkia e kryeqytetit për ndërhyrjen në Parkun e Liqenit.

“Nuk këmbëngulim absolutisht që të takojmë kryetarin e Bashkisë – shpjegoi Lame - Mjafton një person nga hierarkia e Bashkisë së Tiranës, duke filluar nga punonjësi i thjeshtë deri në nivelin e kryetarit, të na sqarojë dy minuta atë që s’e kanë bërë këto dy javë; të na sqarojë çfarë po ndodh në Parkun e Tiranës dhe të na vejë në dispozicion lejen e ndërtimit që është detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve”.

Lame tha se kërkon të dijë nëse ka një leje ndërtimi për punimet për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, që po shkakojnë edhe prerjen e shumë pemëve në Parkun e Liqnit. “Janë bërë të gjithë denoncimet e mundshme për çfarë po ndodh në Parkun e Tiranës dhe nuk ka asnjë përgjigje. Ne duam të dimë a ka një lejë ndërtimi për çka po ndodh atje apo është gjithçka pa leje. Në njëfarë mënyrë ne do të dëshironim të ndihmonim Bashkinë e Tiranës në qoftë se janë ndërtime pa leje dhe ajo nuk e di që po ndodh”, tha përfaqësuesi i grupimit “Ekolëvizja”.

(im/shqiptarja.com)