Fleta e gjobës i është prerë drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, që po kryen punimet për zgjerimin e Rrugës e Elbasanit, që me datë 26 qershor 2012, vetëm një ditë pasi shoqëria civile ka kërkuar zyrtarisht sqarime nga ministria e Mjedisit për këtë çështje. Kanë qenë pikërisht inspektorët e Agjencisë Rajonale të Tiranës, ata të cilët, pasi kanë bërë verifikimet në vend, kanë konstatuar se punimet në parkun kombëtar të Tiranës po kryhen pa leje mjedisore, madje në atë moment kjo drejtori as nuk kishte aplikuar fare për një leje të tillë, e cila është e domosdoshme për të nisur punimet mbi çfarëdolloj projekti që ka ndikim mbi mjedisin. Në proces verbalin e gjobës, dy inspektorët kanë shënuar se ndëshkimi në masën e 1 milionë lekëve të reja, ndaj drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve bëhet pikërisht "se ka nisur aktivitetin pa leje mjedisore". "Në zbatim të ligjit nr.8934, datë 5.09.2002 "Për mbrojtjen e mjedisit", të ndryshuar, Inspektoriati i Mjedisit nëpërmjet Njësisë së Inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit të Qarkut Tiranë, nisur nga problematika e ngritur nga media dhe OJF-të Mjedisore ka ushtruar kontroll në vend, duke i lënë subjektit detyrë për të aplikuar për leje mjedisi. Duke qenë se subjekti përgjegjës nuk ka aplikuar brenda afatit ligjor për leje mjedisore në QKL, në vazhdim të procedurës administrative, me vendimin nr.11, datë 26.06.2012, për shkeljen e ushtrimit të aktivitetit pa leje mjedisi, të parashikuar në ligjin e mësipërm, ka dënuar Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve me gjobë në vlerën 1.000.000 lekë, përcjellë me shkresën nr.prot.308, datë 26.06.2012.
Aktualisht, nga informacioni i marrë nga ARM e Qarkut Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka aplikuar në Qendrën Kombëtare të Licencimit për t'u pajisur me leje mjedisore", -sqarojnë autoritet e Ministrisë së Mjedisit në lidhje me këtë çështje. Mësohet se në ministrinë e Mjedisit është ngritur një komision për shqyrtimin e kësaj leje, dhe afati zyrtar për t'u pajisur me të, sipas të gjitha procedurave është 45 ditë që nga momenti i aplikimit. Nisja e punimeve pa leje leje mjedisore është pranuar dy ditë më parë edhe nga kreu i baskisë, Lulzim Basha, i cili deklaroi se kjo është një çështje e ngelur pezull mes bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH-së.