Ministria e Transporteve ka bërë me dije se fituesi i tenderit për koncesionin e mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të autostradës Milot-Morinë është grupi turk i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”.
Rruga e Kombit jepët me koncesion për 30 vite.
Ministria e Transporteve ka bërë me dije se oferta e paraqitur nga ky grupim kompanish përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 Euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50,622,174 Euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,604,079 Euro.
Oferta është zgjedhur fituese mbi dy konkurrentët e tjerë në tender. Ajo që dihet me saktësi për momentin është që çdo veturë që do të kalojë në këtë segment do të paguajë tarifën prej 5 euro.
Burimet zyrtare nga Ministria e Transporteve bëjnë me dije se termat përfundimtare të kontratës me koncesionarin do të negociohen nga shtatori i këtij viti.
Negociatat parashikojnë përcaktimin e tarifave të kalimit për llojet e ndryshme të mjeteve të transportit apo të udhëtarëve. Negociatat do të përcaktojnë gjithashtu edhe banorët e zonave që do paguajnë tarifa të reduktuara apo tarifa zero për kalimin e saj, në bazë të vendndodhjes me këtë segment të rrugës.
Ministria e Transporteve bën gjithashtu me dije se koncesioni do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas nënshkrimit të kontratës me koncesionarin.
Tenderi
Në datën e përcaktuar për dorëzimin e ofertave për procedurën e dhënies me koncesion/PPP të ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë, në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik janë paraqitur tre oferta si mëposhtë:
- Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst Viva Das General Constructing LLC”, “Salillari” LTD, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati” SHA.
- Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, “PT Citra Marga Nusaphala Persada TDK” “Mehmet Ai Unal Insaat Taahhlil Madencilik San. Ve Tic. A.S” “Savronik Sistem Tah.San.Tic A.S”, “Vendeka Europian Investment B.V”.
- Luman Biba.
Redaksia Online
(Al.Ç/Shqiptarja.com)