Ceremonia e inaugurimit të autostradës kosovare, që është vazhdimi i "Rrugës së Kombit" të ndërtuar në Shqipëri, po zhvillohet sot në afërsi të kufirit, në Vërmicë, aty ku nisi puna më 25 prill të vitit të kaluar. Në përurimin e rrugës marrin pjesë edhe presidentja kosovare Atifete Jahjaga dhe kongresmeni amerikan, Eliot Engel.
Kongresmeni amerikan Eliot Engell deklaroi se autotrada Vermisë-Merdare është një vepër e madhe që i shërben hapjes së vendit. “Në një kohë kur disa vende po i mbyllin dyert dhe kufijtë e tyre, Kosova po i hap ato”, u shpreh senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel, sot gjatë ceremonisë së përurimit të kilometrave të para të autostradës Morinë-Merdare. Ai siguroi më pas se përkushtimi i SHBA-ve ndaj Kosovës do të vijojë edhe në të ardhmen. “Demokracia, sot po lulëzon, aty ku dikur ajo nuk ekzistonte”, tha Engel. Engell deklaroi se nga flamujt amerikanë dhe ndjenjat e ngrohta të popullit shqiptar e ndjen veten si në shtëpinë e tij në Amerikë.
Ndërtimi i 38 kilometrave të parë të autostradës Morinë-Merdar ka kushtuar 330 milionë euro. Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur vazhdimin e ndërtimit edhe në seksionet e tjera, duke deklaruar se "për vitin tjetër nga buxheti i Kosovës janë ndarë edhe 296 milionë euro që të vazhdojë ndërtimi i autostradës Vërmcë-Prishtinë
Thaçi shprehu admirimin për ndërtimin e rrugës që mban emrin Ibrahim Rugova dhe kjo është një rrugë që bën të mundshme lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave . Thaçi falenderoi edhe kompaninë ndërtimore Bechtel- Enka që ka bërë një punë të madhe për këtë rrugë. “Ka kaluar një dekadë kur i lam rrugët me gjemba dhe për këtë ditë janë qarë e shembur shkëminjë , njëherë e pergjithmonë të harrohet robërimi . Pra sot ëndërra po bëhet realitet “, deklaroi kryeministri Thaçi.
Kryeministri Berisha e cilësoi “Rrugën e Kombit” si një lindje të re politike, ekonomike dhe sociale për Kosovën. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në ceremoninë e përurimit të autostradës, Berisha theksoi se rruga mundëson bashkimin e shqiptarëve më shumë se kurrë.
“Kosova në më pak se 3 vjet i dhuron qytetarëve te saj, kombit, rajonit dhe Europës një kryevepër të punëve publike. Kjo është një rrugë me domethënie të madhe për shqiptarët. Përmes kësaj rrugë, Kosova kontribuon për paqen stabilitetin dhe integritetin rajonal”, u shpreh Berisha.
Kjo pjesë e autostradës fillimisht do të jetë pa pagesë, por pas ndërtimit komplet të saj, do të vendosen edhe tarifat, në përputhje me përvojat e vendeve tjera.