Në fazën e II-të të projektit të rrugës së re Elbasan-Qafë Thanë kanë përfunduar 70% e punimeve, ndërsa nënkalimi i hekurudhës dhe mbikalimi automobilistik tashmë janë përfunduar.

Punimet po ecin me ritme të shpejta në formimin e trupit të rrugës. 80 përqind e trasesë është hapur dhe po punohet me shtresat rrugore, ku ka përfunduar aplikimi i konglomeratit bituminoz dhe binderit.

Aks strategjik që lidh Shqipërinë me rajonin dhe Europën

Rruga e re Elbasan–Qafë Thanë është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në zhvillim për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit. Ky segment përfaqëson një hallkë  kyçe të Korridorit të VIII-të, që lidh portet e Durrësit dhe Vlorës me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Detin e Zi. Projekti nuk përbën thjesht një rruge të re, por një investim në të ardhmen ekonomike, tregtare dhe turistike të vendit.

Të dhëna të Rrugës së Re Elbasan-Qafë Thanë
- Gjatësia               31 km
- Financimi             Buxheti i Shtetit, BERZH, BE
- Numri i loteve      3
- Vepra arti               Tunele, ura, mbikalime, rrethrrotullime, sisteme drenazhimi
- Koha e përshkrimit    25 min (nga 60 min sot)

Rruga e re do të krijojë një lidhje më të shpejtë dhe më të sigurt midis qendrës së Shqipërisë dhe kufirit lindor me Maqedoninë e Veriut. Ajo do të ulë ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe kostot e transportit për mallrat dhe pasagjerët, duke nxitur tregtinë, prodhimin dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitaleve.

Aktualisht, transporti rrugor mes Elbasanit dhe Qafë Thanës është i vështirë, për shkak të terrenit malor dhe infrastrukturës së amortizuar. Rruga e re do të ketë parametra bashkëkohorë (gjerësi standarde, ura dhe tunele moderne), duke siguruar një qarkullim të pandërprerë dhe një ulje deri në 40 përqind të kostove të transportit.

Përbërësit e Rrugës
-  2 tunele të mëdha
- 5 ura kryesore, përfshirë një urë të lartë mbi lumin Shkumbin
- Sistem inteligjent trafiku për menaxhimin e qarkullimit
- Shtresë asfaltike moderne me jetëgjatësi
- Sistem mbrojtjeje mjedisore, përfshirë gjelbërim anësor dhe masa kundër rrëshqitjeve

Ndërtimi i këtij aksi përforcon bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe rrit lidhjet tregtare në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në perspektivë, rruga do të shërbejë si një urë e re për tregtinë dhe turizmin ndërkufitar, duke mbështetur procesin e integrimit europian të vendeve të rajonit.

Zhvillim i turizmit, zonave rurale, përfitim mjedisor dhe siguri

Zona e Elbasanit, Librazhdit dhe Prrenjasit ka potenciale të mëdha natyrore e historike, por deri më sot ka qenë e kufizuar nga infrastruktura. Rruga e re do të sjellë turistë, investime dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke e kthyer këtë zonë në një qendër të re të turizmit malor dhe kulturor.

Faza e ndërtimit ka gjeneruar dhe do të vazhdojë të gjenerojë qindra vende pune për specialistë, punëtorë dhe biznese ndihmëse lokale.

Segmenti i ri po me standarde moderne që respektojnë mjedisin, reduktojnë ndotjen nga trafiku dhe rrisin sigurinë rrugore. Një infrastrukturë më e mirë nënkupton më pak aksidente, më pak emetime dhe më shumë efikasitet energjetik në transport.

Kostot, turizmi dhe siguria Sot  Me rrugën e re
- Shpenzimet mesatare për karburant                                           9 euro                   5 euro (-45%)
- Rritja e vëllimit të transportit të mallrave                                    +40%
- Fluksi vjetor i vizitorëve në zonë                                                 100 mijë                 180 mijë
- Numri mestar i aksidenteve                                                         50/vit                       20/vit (-60%)   

Një rrugë drejt integrimit evropian

Kjo vepër është në përputhje me prioritetet e Bashkimit Evropian për ndërlidhjen e rajonit.
Financimet dhe mbështetja teknike e BE-së dhe institucioneve ndërkombëtare dëshmojnë rëndësinë strategjike të projektit për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë dhe Ballkanit.

Rrugët lidhin njerëz, kultura dhe ekonomi. Aksi Elbasan–Qafë Thanë është një rrugë që bashkon, që nxit bashkëpunimin ndërkufitar dhe forcon marrëdhëniet miqësore midis popujve të rajonit. Rruga e re është shumë më tepër se një investim në asfalt. Është një investim në të ardhmen e Shqipërisë, në integrimin e saj me rajonin dhe Evropën, në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe ideve, dhe në forcimin e ekonomisë kombëtare.