Mungesa e sinjalistikës dhe ndriçimit e ka kthyer në burim aksidentesh rrugën që lidh qytetin e Kukësit me fshatin Nangë. Më të rrezikuar janë nxënësit e shkollës 9-vjeçare për shkak se automjetet ecin me shpejtësi. Rasti më i fundit ishte vetëm pak ditë më parë, ku një fëmijë mbeti i plagosur pa pasoja për jetën.

“Ka makina që ecin me shpejtësi dhe për këtë arsye krijojnë rrezik”, shprehet një nxënëse.

Rruga është e parrezikshme për shkak se edhe nuk kanë shumë kujdesshëm për arsye se nuk janë të ndërgjegjshëm për sepse janë edhe një moshë e vogël Ka që ecin edhe me shpejtësi”, shprehet një nxënëse tjetër

Banorët thonë se rruga që kalon përmes fshatit është e ngushtë ndërsa kërkojnë ndërhyrje për vendosjen e kufizuesve të shpejtësisë pranë shkollës dhe zonave të banuara. 

“Këtu ka 30 vite na kanë mashtruar dhe nuk e kanë bërë rrugën. Kur të bjerë shi fëmijët kalojnë nëpër baltë”, shprehet një banor i fshatit.

“Janë aksidentuar dhe fëmijët, i bie nga pas e le aty dhe ikën. Këtu është e rrezikshme rruga” , thotë një banor i fshatit.

“Tek kjo rrugë kanë mbetur të plagosur 7 vetë. Këtu është një kryqëzim rruge duhet të kesh mundësi të kalosh në atë krah se në atë krah ne shkojmë dhe për në Kukës, këtu s’ka.  A ka rrugë? A ka sinjalistikë? A ka vija të bardha, ka shenja edhe sinjalistika rrugore mungon. Ne jemi për të gjetur të drejtën tonë për të kaluar rrugën. Mirë unë që jam në moshë, po fëmija nuk e di”, shprehte një banor tjetër. 

Ky aks është rikonstruktuar vite më parë por projekti nuk përfshinte ndërtimin e trotuareve dhe barrierave anësore të rrugës.