Shtesa prej 35 milionë dollarësh për të përfunduar 4 kilometra të Rrugës Tiranë- Elbasan ka vijuar sot përplasjen mes Ministrit të Transporteve Sokol Dervishaj dhe deputetëve socialistë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve.

Deputetët edhe sot vijuan t’i konsideronin të pajustifikueshme kostot shumë të larta, ndërkohë që kërkuan edhe ndjekje penale për personat përgjegjës.
 
 “A ka ushtruar Ministria një kontroll duke përfshirë edhe studimin gjeologjik, sepse dikush duhet të mbajë përgjegjësi penale”, tha Ulsi Manja.
 
Dervishaj tha se problemi i kostove e ka zanafillën që në momentin e nënshkrimit të kontratës. Sipas tij, me qëllim reduktimin e kostove, autoritetet e atëhershme shtetërore ulën vlerën fillestare të projektit me rreth 100 milionë dollarë, pa parashikuar rrëshqitjet e dheut që kanë ndodhur aktualisht në këtë segment.
 
“Kur është bërë negocimi i parë financiar me bankën kredituese, banka ka ofruar shumë më tepër para duke qenë e bindur për dinamikën e vështirë të këtij projekti dhe problematikat e terrenit. Ka pasur një vlerë shumë më të lartë negocimi financiar, por që në fund të ditës është zbritur me 100 milionë dollarë, sepse ekspertët e kohës kanë qenë të bindur se mund të realizohej me më pak para nganjëherë”, u shpreh Dervishaj.
 
Si relator i çështjes, Deputeti Pandeli Majko kërkoi miratimin e shifrës prej 35 milionë dollarë shtesë, por kërkoi hetime të mëtejshme lidhur me kostot shtesë.
 
“Nuk dua të vë në dyshim njerëz që vijnë këtu me përgjegjësi zyrtare dhe ligjore që thonë se për 4 kilometra na duhen 35 milionë dollarë. Deri sa e thanë këtu nuk kam të drejtë të dyshoj. Por vlerësoj shumë atë që thatë se do të kërkoni pranë organeve kompetente që kjo histori të mos mbyllet thjesht si një moment administrativ”, tha Majko.
 
Përplasja mes dy aleatëve qeverisës u komentua dhe nga Partia Demokratike. Aurel Bylykbashi Kreu i PD Elbasan tha se Partia Socialiste, përveç se nuk ka ndërtuar asnjë metër rrugë të segmentit Tiranë- Elbasan, po tenton bllokimin e plotë të ndërtimit të saj.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)