Siguria detare për pushuesit në plazhe, kontrolli i kufirit tokësor dhe kapja e personave të shpallur në kërkim ka qenë në fokus të takimit të zhvilluar mesditën e sotme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Gjatë fjalës së tij, Rrumbullaku ka kërkuar nga drejtuesit e Policisë Kufitare, marrjen e menjëhershme të masave shtesë për të siguruar një shërbim sa më cilësor, duke krijuar lehtësira në lëvizje, nisur nga trendi i rritjes së fluksit të turistëve dhe vizitorëve që përditë e më shumë, po vijnë në vendin tonë, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar, ajror, detar dhe tokësor.
"Përzgjedhja e një personeli sa më të kualifikuar, është domosdoshmëri, pasi Policia Kufitare është pika e parë e kontaktit të turistëve dhe vizitorëve, me vendin tonë, dhe në këtë aspekt, duhet të jetë një trupë shërbimi e mirëtrajnuar, e shkolluar dhe e përkushtuar. Rritje të vigjilencës në kohë fluksesh, pasi sipas marrëveshjeve respektive pothuajse në të gjitha pikat e kalimit tokësor të rajonit, shpesh aplikohet procedura e përshpejtuar, dhe në këtë aspekt, shtetas në kërkim apo elementë të ndryshëm kriminal, që ushtrojnë veprimtari në fushën e trafikimit të armëve, drogës dhe automjeteve, si dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm, mund të përfitojnë për të realizuar qëllimin e tyre kriminal. Bashkëpunim me homologët respektivë për lëvizje të njëtrajtshme dhe për shkëmbim informacioni, për shtetas me tendenca kriminale në fushën e krimeve kufitare”- ishin disa prej kërkesave të Rrumbullakut.
Ai ka kërkuar që Njësia Detare e krijuar për sigurinë në plazhe, të veprojë në kohë dhe me profesionalizëm, si dhe të sigurohet informacion nga patrullimet tokësore dhe ato në vijën bregdetare, me qëllim parandalimin e ngjarjeve që cenojnë sigurinë e pushuesve.
Gjithashtu, u kërkua të merren masa të menjëhershme në koordinim me policitë vendore në qarqe, për ndotjen akustike, për sekuestrimin e pajisjeve që gjenerojnë muzikë në kundërshtim me ligjin, si dhe për ndëshkimin ligjor për pronarët dhe administratorët e hoteleve dhe lokaleve që krijojnë ndotje akustike, në dëm të banorëve dhe të pushuesve.
Rrumbullaku ka paralajmëruar drejtuesit e Policisë Kufitare se në rast të mospërmbushjes së këtyre objektivave, nuk do të ketë thjeshtë masa administrative të largimit nga detyra, por do të ketë ndjekje penale për shpërdorim të detyrës, për cilindo që nuk i përgjigjet ritmit dhe kërkesave të reja të bazuara në organigramën e re të Policisë së Shtetit, sipas të cilës Policia Kufitare merr më shumë përgjegjësi në drejtim të parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare.
Zoti Rrumbullaku!porositi qe mos te perdhumojne njerezit qe bojne di lypsare e gjob venda
Përgjigju