RTSH: Nuk do pranojmë kasetat
e partive për fushatë

RTSH: Nuk do pranojmë kasetat<br />e partive për fushatë
TIRANE-Radio Televizioni Shqiptar nuk do të pranojë material të gatshëm të partive politike për emisionet e veta informative.

Me anë të një njoftimi për shtyp, Radio Televizioni Shqiptar ( RTSH) thekson se nuk do të pranojë, në edicionet e veta të lajmeve, materiale të gatshme të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e afërme elektorale, por do mbulojë fushatën zgjedhore vetëm me gazetarët e vet.

RTSH, përmes një shkrese të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm, Thoma Gëllci, njofton kryetarët e partive pjesëmarrëse në zgjedhje se pasqyrimi i aktiviteteve të partive politike do të bëhet në mënyrë të pavarur dhe profesionale nga vetë gazetarët dhe operatorët e RTSH-së. Kjo, sipas RTSH, do t’i shërbejë ruajtjes së profesionalizmit dhe informimit të paanshëm të publikut.

"Dihet se partitë politike shqiptare dhe sidomos partitë e mëdha kanë ngritur zyra të fuqishme të shtypit dhe propagandës, të cilat të mirëpajisura dhe të mirëpaguara, përgatisin materiale propogandistike të gatshme, të cilat shpërndahen në televizionet e vendit. Transmetime të tilla në emisionet e lajmeve, bëhen duke shkelur rëndë pavarësinë e tyre por edhe ligjin, i cili e përcakton prerë se duhet bërë një ndarje e qartë e reklamës me informacionin dhe se ndalohet reklama e fshehtë.

Ky vendim nuk përfshin kohën e përcaktuar me ligj që jepet falas për propagandën e partive politike nga televizioni publik dhe tani me ndryshimet e fundit edhe nga televizionet private, por kjo do të jetë e treguar qartë dhe e ndarë nga emisionet informative apo nga emisionet e tjera radiotelevizive", thote RTSH.

Kohët e fundit, Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar miratoi, për herë të parë, Parimet e veta editoriale, ku është përcaktuar në mënyrë konkrete si duhet të sillet gazetari i RTSH-së gjatë fushatave elektorale.
"Sipas Parimeve Edioriale, “Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesve të partive politike ose kandidatëve që garojnë nuk u lejohet të paraqiten në emisione të tjera të RTSH-së, me përjashtim të rasteve te përcaktuara në Kodin Zgjedhor për kohën falas të propagandës së Partive Politike. Kur pasqyrohen aktivitetet e përfaqësuesve të partive politike dhe kandidatëve që mbajnë poste qeveritare apo publike, RTSH duhet të bëjë dallimin e qartë midis funksioneve të tyre zyrtare dhe veprimtarisë zgjedhore", thote njoftimi.

Deri më tani RTSH thekson madje se ka bërë disa trajnime të gazetarëve të saj për pasqyrimin e fushatës zgjedhore.

"Ditët e fundit në RTSH janë zhvilluar disa seanca trajnimi nga pedagogu i Akademise se Eurovizionit dhe ish gazetari i BBC, Jonathan Stoneman pikërisht për fushatën zgjedhore që jemi në prag.

Duke mos pranuar materialet e gatshme të partive politike, por ta ndjekë këtë me gazetarët e vet, RTSH shprehet se, 'ky është një hap i duhur që duhet të ndiqet edhe nga televizionet dhe radiot e tjera private të cilat shpesh herë kthehen në zëdhënëse të zyrave të shtypit të partive te ndryshme'.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar