FIER - Deputetët e Qarkut të Fierit si dhe ekspertë në sektorin e naftës në Shqipëri, në një takim edhe me kreun e grupit parlamentar socialist theksuan se qeveria dështoi me privatizimin e Albpetrolit.

Specialistët në këtë takim theksuan domosdoshmërinë e një strukture publike, e cila duhet t’i dalë për zot interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve sa u takon pasurive kombëtare në tërësi dhe naftës në veçanti.

Kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi ka shprehur angazhimin e palëkundur të PS, që me ardhjen në pushtet të ndryshojë tërësisht mënyrën e sjelljes së shtetit me pasuritë e shqiptarëve dhe interesat kombëtare të vendit. “Ne u premtojmë se s’do sillemi me pasuritë e shqiptarëve si me mall të huaj.

Me politikat tona qeverisëse si në programin tonë elektoral politik dhe atë qeverisës do të vëmë në plan të parë sidomos për pasuritë nëntokësore, interesat kombëtare, interesat e komunitetit dhe interesat e punonjësve të djeshëm dhe të sotëm në sektorin e naftës.

Ne nuk jemi kundër koncesioneve, ne nuk jemi kundër privatizimeve, por gjithmonë koncesionet apo privatizimet do të jenë në mbështetje dhe në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve shqiptare”, ka garantuar Ruçi.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 22 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)