TIRANË – Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka kundërshtuar Berishën për akuzat e tij drejtuar Forcave të Armatosura si baza të trafikut të drogës nga bazat ushtarake.

“Ju thoni që kanë ndalur avionë në Karavasta,” - tha Ruçi, - “kur në Karavasta ka vetëm një rrugë që të çon në Bedat e ku nuk shkon dot as mushka, jo më të ulet avion!

Nëse ju vini këtu dhe lexoni letrën e gazetës tënde apo time, edhe ju edhe unë jemi të pabesueshëm; folët edhe për kokën e dhisë, që as nuk ka lidhje me Forcat e Armatosura.”

Kësisoj, Ruçi kërkoi nga Berisha që të mos vërë gishtin e të akuzojë pa argumenta, ushtrinë, sepse kjo do të ishte njësoj sikur edhe ndaj tij të drejtohej gishti i akuzë se “ti je njësh me krimin se vrave 26 vetë!”

Ruçi kërkoi që deputetët të mos flisnin me një gjuhë mejhanesh dhe të tregoheshin të matur në ato që thoshin.

“Thonë se Policia e Vlorës nis gomone me drogë 40 mijë euro,”- tha ai, duke iu drejtuar Berishës  - “po a nuk është njësoj me atë që the para një jave? Nuk mund të flitet kështu! Të mos ngatërrojmë gjuhën që duhet të përdoret në parlament me zhargonin në mejhane ku mblidhen pijanecë.

Kolegë! Në këtë vend, nga kjo foltore, fjalët që kemi lançuar kundër njeri tjetrit kanë qënë që Shqipëria është vend ii drogës, trafikut, prostitucionit.Jo! Nuk është Shqipëria as kultivuese, as konsumatorë e drogës, por një vend i caktuar, individë të caktuar janë. Sepse Shqipëria nuk kultivon dhe nuk konsumon drogë.

Po ashtu, thoni se nga Shqipëria kalon heroina apo kokaina. Por ne nuk kemi ç'të bëjmë kur në gjithë këtë trafik të madh të përbotshëm, një pjesë e vogël kalon edhe nga Shqipëria. Ne duhet të bashkëpunojmë me partnerët tanë, të mos i keqpërdorim ata, sepse këtë nuk e bën Shqipëria, por disa individë.

Çështë ajo fjalë që u lëshua këtu njëhërë për mijëra prostituta kur ne jemi vetëm tre milionë banorë?! Por edhe sikur të ishin, ajo fjalë nuk thuhet, ndaj unë sugjeroj t’i mbyllim këtu debatet,”- përfundoi Ruçi.

Gjithsesi, edhe pas kësaj, Berisha u ngrit në foltore për të falenderuar mediat që publikuan dhe mbështetën kolegun e tyre të RD-së në kërcënimin që iu bë.

Redaksia online
(armanda shtembari/Shqiptarja.com)