Instagram nuk do të mbështesë më mesazhet e enkriptuara në të dy skajet, duke nisur nga 8 maji. Zëdhënsja e Meta, Dina El-Kassaby Luce, tha se platforma po e ndërpret këtë veçori sepse “shumë pak njerëz” po e përdornin E2EE në mesazhet direkte.
Instagram ka filluar të njoftojë përdoruesit e prekur për këtë ndryshim brenda aplikacionit, dhe gjithashtu ka publikuar një përditësim në faqen e saj, duke sugjeruar që përdoruesit të shkarkojnë bisedat dhe imazhet e enkriptuara para se opsioni të mos funksionojë më.
Ata mund të eksportojnë bisedat, ndërsa përdoruesit që kanë një version të vjetër të aplikacionit, duhet ta përditësojnë si fillim.
Tani, nëse përdoruesit duan biseda të siguruara nga enkriptimi, duhet të përdorin WhatsApp.
Enkriptimi, i prezantuar nga Meta në vitin 2023, i pengon palët e treta, përfshirë vetë kompaninë, të shohin mesazhet.
Ndërsa rregullatorët në mbarë botën po ushtrojnë presion mbi rrjetet sociale për të forcuar masat e sigurisë për fëmijët, enkriptimi është kthyer në një nga objektivat e tyre.
Meta dhe drejtues të tjerë të teknologjisë janë kritikuar për dorëzimin e komunikimeve të përdoruesve tek palë të jashtme, përfshirë forcat e rendit. Por ata kanë marrë kritika edhe për ofrimin e enkriptimit fund-më-fund për përdoruesit në përgjithësi, pasi disa kritikë thonë se kjo veçori u mundëson grabitqarëve seksualë të synojnë dhe të komunikojnë me të mitur pa u zbuluar.
Komente











