Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë thirrje për masa të menjëhershme për ta mbështetur rublën, valutën e dobësuar ruse, teksa vendi po përballet me rritje të inflacionit. Sa i përket zhvlerësimit të valutës, Putin ka thënë se “është e nevojshme të kuptohet qartë çfarë po e shkakton atë dhe të merren vendime të duhura, pa vonesa”. Lideri rus i ka bërë këto komente në një takim qeveritar për buxhetin shtetëror, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax.
Rritja e shkallës së interesit është një prej mënyrave për forcim të valutës së një vendi edhe për ulje të ritmit të inflacionit. Banka Qendrore e Rusisë veçse e ka rritur normën e interesit në 13 për qind. Putin ka thënë se beson në politikat ekonomike të Rusisë.
“Jam i sigurt që Banka Qendore po punon me profesionalizëm dhe – çfarë është e rëndësishme – në mënyrë të koordinuar”.
Ministria e Ekonomisë ka thënë se parashikimet për inflacionin këtë vit shkojnë në 7.5 për qind. Sipas ekspertëve, Zyra ruse e Statistikave e ka ndryshuar mënyrën e kalkulimit të të dhënave më 2023, në krahasim me vitin 2022, në mënyrë që shifrat përfundimtare të jenë më të vogla. Pavarësisht rritjes së inflacionit, Putini ka thënë se është i kënaqur me gjendjen e ekonomisë.
“Ne i kemi mbijetuar një presioni të pashembullt prej jashtë, presion me sanksione nga disa elita në bllokun e ashtuquajtur perëndimor”, ka thënë ai.
Sanksionet e Perëndimit janë rezultat i nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Lajmi kryesor: