Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me ngjarjet që mund të ndiqni gjatë ditës.

Pas mbrëmjes së parë në skenën e "Operas", opereta "Die Fledermaus” e Strauss shfaqet  nën regjinë e Renato Zanellas, sot e nesër në orën 20.00.

12 artistë nga 12 shtete mbajnë disa koncerte në kuadër të Festivalit Muzikor i Tiranës "Kosmos", drejtuar nga violinisti Jonian Kadesha, deri në 20 nëntor. Koncerti i dytë "Mesditë në Tiranë" është sot në orën 13.00 në sallën "Tonin Harapi". ndërsa "In memoriam" fton publikun në orën 20.00 tek "Artet".

Panairi i 25-të i librit shënon ditën e tretë në Pallatin e Kongreseve. Të interesuarit mund të bëhen pjesë e prezantimeve të titujve e takimeve me autorët, por edhe diskutimesh për librin, e natyrisht zbritje të çmimeve.

Ekspozita "Dhe yjet rrinë vështrojnë" e Gazmend Lekës pret vizitorët në galerinë "Fab"deri në 7 dhjetor.

Pas premierës të enjten, vijon të shfaqet në kinematë "Millenium" dhe "Cineplexx" filmi “Nji prej nesh”, me regji e skenar të Ergys Metës.

Banda Tradicionale e Emirateve ndal edhe  sot në orën 12.00 në Kalanë e Krujës, ku mban një koncert në kuadër të Javëve Kulturore.

Artisti Endri Beqo çel sot në orën 19.oo ekspozitën "Thumbi në shënjestër" me 30 punime në galerinë "Tirana Ekspress".

Festivali i Këngës “Lule borë”  i Shkodrës rikthehet me risi e surpriza sot dhe nesër në orën 19.00 në Teatrin “Migjeni”.

Teatri Shëtitës “Çajupi” ndal këtë fundjavë në Elbasan. Të shtunë e të dielë në orën 10.30 do të shfaqet në teatrin “Skampa” premiera për fëmijë “Të shpëtojmë luginën”

Amaneti i regjisorit Kristaq Dhamo, vihet në vend. Shfaqet sot në orën 18.00 në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana”.