Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me ngjarjet që mund të ndiqni gjatë ditës.

Teatri i Kukullave mirëpret vogëlushët sot dhe nesër në orën 10 e 30 dhe 11.30 me shfaqjen “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat” në sallën “Tonin Harapi”.

Shënohet sot në Teatrin e Operas në orën 20.00 mbrëmja e fundit e operetës “Lakuriqi i Natës” e Johan Strauss, me regji të Renato Zanellas.

Vijon deri të dielën Festivali Muzikor i Tiranës "Kosmos", drejtuar nga violinisti Jonian Kadesha. Sot në mbrëmje në orën 20.00 do të mbahet koncerti i Katërt “Fantazi dhe Kosmos” pranë Katedrales Ortodokse.

Panairi i 25-të i librit shënon ditën e katërt në Pallatin e Kongreseve mes takimeve e diskutimeve me autorë e përkthyes. Siç është traditë, sot do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Ekspozita "Dhe yjet rrinë vështrojnë" e Gazmend Lekës pret vizitorët në galerinë "Fab"deri në 7 dhjetor.

Pas premierës të enjten, vijon të shfaqet në kinematë "Millenium" dhe "Cineplexx" filmi “Nji prej nesh”, me regji e skenar të Ergys Metës.

Ekspozita "Thumbi në shënjestër" me 30 punime e artistit Endri Beqo pret vizitorët në galerinë "Tirana Ekspress" deri në 23 nëntor.

Festivali i Këngës “Lule borë”  i Shkodrës shënon sot në orën 19.00 mbrëmjen e dytë në Teatrin “Migjeni”

Teatri Shëtitës “Çajupi” ndal këtë fundjavë në Elbasan. Të shtunë e të diel në orën 10.30 do të shfaqet në teatrin “Skampa” premiera për fëmijë “Të shpëtojmë luginën”