Rudolf Marku: Si më sulmoi
shkrimtari i Komitetit Qendro

Rudolf Marku: Si më sulmoi<br />shkrimtari i Komitetit Qendro
“Një Ballkanas në Londër me historitë e veta
E bën të zverdhet Alfred Hitchcock-un. Sherlock Holmsi
Bën kërkesë që të dalë në pension para kohe
Para krimeve të ngatërruara që tregon Ballkanasi.
Kur e merr malli për thashethemet e klubeve të fshatrave
Dëgjon BBC-në. Nuk e çudisin
Monumentet e Wellington-it e të Nelson-it,
Për Mbretëreshën thotë: – Si mund të jetë Mbretëreshë
Kur i shoqi ia hyp gjithë natën e natës!”...

 
TIRANE - Ky është një fragment nga poezia “Një Ballkanas në Londër” e Rudolf Markut. Ai vetë është një i tillë. Përfaqësuesi i plejadës së shkrimtarëve më të talentuar të viteve ‘80, aktualisht jeton midis Londrës ku banon e punon e Tiranës ku ka shtëpinë. “Herë pas herë vij në Tiranë në shtëpinë time”, thotë, ashtu nostalgjik si të gjithë ballkanasit e pak më tepër si shqiptarët. Tregon se shkruan letërsi në kohë të lirë, jashtë orareve zyrtare të punës. “Letërsia është pasioni i jetës sime dhe si shumica e shkrimtarëve unë përpiqem të shfrytëzoj kohën e lirë me leximin dhe shkrimin e letërsisë”, thotë ndërsa i kthehet në intervistën për “Shqiptarja.com” kujtimeve të kohës më të artë të krijimtarisë, aty pas viteve ‘85, ku brezi i ri o petëve dhe shkrimtarëve të talentuar pati si frymëzim letërsinë antikonformiste të Ismail Kadaresë.

Ishet koha kur në letrat shqipe u shfaq një plejadë me poet të rinj të shquar si Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Zija Çela, Teodor Keko, etj, për të cilët flitet në këtë intervistë. Rudolf Marku nga viti 1997 deri në 1990 ka punuar si redaktor i poezisë dhe përkthimeve në gazetën “Drita”, pikërisht kur ka qenë shkëlqimi më i madh i saj, në kohën kur siç tregon ai: në orën 5.00 të mëngjesit mbahej radhë të dielave, sepse deri në orën 9.00 nuk gjeje dot më asnjë kopje.

Zoti Rudolf, gjatë takimit tonë më bëri përshtypje një shprehje që hyri rastësisht në bisedën tonë “Ishte një kohë në vitet ‘85 kur njerëzit mbanin radhë vetëm për bukën dhe gazetën Drita”. Pse keni dalë në këtë konkluzion?
-Në vitin 1987 unë kam punuar si redaktor i poezisë dhe përkthimeve në gazetën letrare “Drita” deri në vitin 1990. Është koha kur komunizmi ka dhënë shenjat e para të paqëndrueshmërisë së vet, ndaj gazeta “Drita” kishte një rëndësi të jashtëzakonshme në atë kohë, sepse ishte pararoja e mendimit kritik intelektual. Them pararoja e mendimit intelektual, sepse në sistemin komunist ka ekzistuar një qenie e zhdukur sot: intelektuali kritik. Intelektuali kritik ka pasur një status të jashtëzakonshëm në sistemet komuniste. Ishte qenia që kundërshtonte sistemin komunist intelektualisht dhe ishte një njeri që kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek masa, tek lexuesi.

Rolin e mendimit të intelektualit kritik e kryente në atë kohë gazeta “Drita”, aq sa në gazetën “Drita” nisën të botohen vlera të ndaluara më parë. Unë kam botuar në atë kohë në gazetën “Drita” tregime të Franc Kafkës, një autor plotësisht i ndaluar. Ka qenë viti 1988 ku në faqen e gazetës “Drita” kanë qenë katër faqe me tregimet e Curçillit. Madje në një moment kam përkthyer një pasazh ku Curçili kujton ditarin e kontit Çiano, ku Hitleri i thotë Kontit Çiano që do ta “bëjmë Shqipërinë një kopsht të lulëzuar në brigjet e Adriaktikut”. Unë e përktheva fjalë për fjalë këtë pjesë ditari, sepse çuditërisht fjala e Hitlerit ishte përdorur fjalë për fjalë nga Enveri, që ishte slogan, dhe i huazuar nga goja e Hitlerit. Kam përkthyer e botuar poezi të Eliotit të Ezra Paundit etj.

Po kështu edhe kolegët e mi nisën të botonin tregime e poezi antikomformiste. Botonte poezi të mira Bardhyl Londo, por botimet më të mira i kishet sidomos Zija Çela, që ishte botuesi më ideal i shtypit shqiptar, jo vetëm se botonte tregimet e veta antikonformiste dhe të një niveli të lartë artistik, por edhe shkrime të tjera. Në atë kohë botonte edhe Ismail Kadare në gazetën “Drita” dhe me shkrimet e tij ai sillte një ndryshim në mentalitetin dhe opinionin shqiptar. Gazeta “Drita” u bë një gazetë që për të njerëzit më mëngjes herët ditën e diel rrinin në radhë.

Pra çoheshin në pesë të mëngjesit për të blerë gazetën “Drita”, sepse pas orës 9.00 nuk e gjeje më. Pra, ky ishte në atë kohë statusi i intelektualit kritik, i atij intelektuali që sot në sistemet postkomuniste është zhdukur, sepse sot intelektuali kritik është një njeri që paguhet mirë dhe në thelbin e tij ngandonjëherë janë ata që kritikojnë qeverinë dhe në fakt janë ata që paguhen nga shteti për të sharë shtetin. Pra nuk ekziston kritika e vërtetë antikonformiste. Janë pseudokritikë dhe nuk janë më ata intelektualë kritikë që në atë kohë disa jetonin në kamp jashtë burgut dhe disa në një kamp tjetër brenda burgut.

Çfarë statusi kishte në atë kohë një poet ose shkrimtar që botohej tek gazeta “Drita”?
-Padyshim ai që botohej tek gazeta “Drita” kishte një status të lartë intelektual. Dhe kjo përzgjedhje e rreptë në botime e bënte krijimtarinë të ishte më e kërkuar dhe më e ndikueshme tek lexuesit. Më 1978-n unë kam botuar një poezi që titullohej “Arkitekti i burgut në kalanë e Gjirokastrës”. Kishte nënkuptime për periudhën e asaj kohe dhe Bardhyl Londo në kujtimet e veta kujton sesa me frikë e kishte bërë botimin e kësaj poezie. Janë tekste të forta politike sociale.
 
Për çfarë bënte fjalë kjo poezi?
-Ishte historia e një arkitekti të Gjirokastrës, i cili me një talent të jashtëzakonshëm ndërton burgun, ku nuk kalon as rrezja e diellit, as zogjtë dhe poezia tregon sesi një njeri i ditur vihet në shërbimin e së keqes. Poezia kishte mesazhin që ky arkitekt që ishte me dije ndërtoi të keqen që është burgu, por vjen e ëma plakë me të zeza dhe mallkon të gjithë arkitekturën e lindjes së këtij burgu. Epo në atë kohë dihej se kush ishte “arkitekti i burgut”, aty përmendej dhe Gjirokastra dhe kjo poezi ishte me nënkuptime të forta. Nuk ishte thjesht nënteksti, por edhe vlera artistike e shkrimeve që botoheshin në atë kohë që sillte mesazhe të tilla krijimtaria. Pra duke mos u mjaftuar vetëm me nëntekstin dhe duke përmbushur vlerat artistike, gazeta “Drita” botonte poezi, përkthime, esse që ishin në krahun e së bukurës.

Pra ju pak nga pak sollën ndërmend bashkëkohësit tuaj që botonit më këtë gazetë, si Zija Çelën, Bardhyl London, po të tjerët?
-Kujtoj mikun tim të ngushtë Ndoc Gjetjen, kujtoj Preç Zogaj që hyri në letërsinë shqipe menjëherë me poezitë e veta. Kujtoj dhe nuk harroj tregimet e mrekullueshme të Zija Çelës. Tregime rebele me nëntekst të spikatur dhe në nivele të jashtëzakonshme artistike. Botonte tregime të mira edhe Nasi Lera dhe padyshim aty botohej edhe krijimtaria më e re e Ismail Kadaresë që ishte një frymëzim i jashtëzakonshëm për ne.
 
Si shpjegohet kjo liri dhe ky bashkëpunim mes krijuesve në vitet ‘85, kur dihet që në vite ‘70 Lidhja e Shkrimtarëve, LSHA, u bë një nga institucionet që burgosi dhe dënoi shumë shkrimtarë?
-Po, është e vërtetë që në ‘73-n Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u bë objekt i goditjes nga Komiteti Qendror dhe nga byrotë politike, sepse Enver Hoxha dhe regjimi i atëhershëm donin të vinin nën kontroll elementin intelektual, Unë isha aso kohe një 20-vjeçar që botova librin e parë me poezi “Shkokët e mi”, libër që u kritikua për gabime të rënda ideologjike dhe që u hoq nga qarkullimi. Por unë nuk e dija pse. Shumë vite më vonë kur isha në Gjermani në vitin 1991, i ftuar nga qeveria gjermane për të folur në një universitet gjerman, një person që ishte në universitetin e Bonit më jep një libër me studime për Shqipërinë.

Dhe unë u habita kur pashë sesi në një libër që fliste për Shqipërinë në vitin 1982, më mesin e tij ishin edhe faqet ku shkruhej sesi studenti Rudolf Marku kritikohej në Komitetin Qendror nga një shkrimtar që ishte në atë “për gabime të rënda ideologjike” dhe isha marrë si shembull për këtë punë. Kjo paskej ndodhur në vitin 1974 dhe unë vetë nuk e paskësha ditur, sepse plenumi kishte qenë sekret dhe kjo ishte shkruar në buletinet sekrete që qarkullonin vetëm në kuadrot e Partisë. Pra këtë gjë e mora vesh në Gjermani vetëm në 1991.
 
Po cili nga shkrimtarët ta kishte bërë këtë?
-Të lutem, për arsye mirësjelljeje nuk po ia them emrin.
 
Si ka mundësi që s’e morët vesh?
-Unë isha një 20-vjeçar që sapo kisha filluar të shkruaja. Dhe ai kritikuesi ishte një figurë e shquar në letrat shqipe, por ishte vetëm në opinion figurë e shquar. Në atë kohë një poet i vërtetë i shquar, por që edhe ai ishte luftuar ishte Sadik Bejko, që botoi librin e tij rrënjët. Kishte një poezi të mrekullueshme, ndryshe nga të tjerët, por ja dhe ky libër u hoq nga qarkullimi. Pra në atë kohë nuk vepronte vetëm vigjilenca ideologjike, por edhe smira personale kundrejt poetëve. Sadiku në ato vite ishte një poet jashtëzakonisht i talentuar dhe jeta e tij u mbush me peripeci vetëm nga dashuria për letërsinë. Pra disa letrarë për të goditur kolegët e tyre përdornin një ambalazh ideologjik.
 
Ju përmendët edhe Ismail Kadarenë që botonte në “Drita”, po Dritëro Agolli ç’bënte në atë kohë?
-Dritëroi është një shkrimtar i mirë dhe ai botonte një krijimtari shumë të mirë në gazetën “Drita”...
 
Ju kujtohen të tjerë që jepnin kontribut me frymën antikonformiste në gazetën “Drita” të viteve ‘85?
-Po kujtoj Teodor Kekon që e kisha edhe mik shumë të ngushtë, sepse Teodor Keko që në atë kohë ishte një gazetar shumë i mirë, por edhe një shkrimtar shumë i mirë. Mbi të gjitha Teodori ishte një njeri tepër i emancipuar dhe mesazhet e tij ishin të thella. Në atë kohë kujtoj që botonte edhe Skënder Buçpapaj, që e mbaj mend si gazetar shumë të mirë dhe kritik shumë të mirë. Por dua të kthehem edhe njëherë tek Zija Çela që ishte shkrimtari më i talentuar, por edhe hartuesi e botuesi më i mirë i shkrimeve që lidheshin me historinë e kulturës dhe historinë shqiptare.
 
Po Teodor Keko sa vjeç duhet të ketë qenë atëherë, duhet të ketë qenë shumë i ri?
-Ishte shumë i ri, 27-28 vjeç. Kam shumë kujtime me Teodorin. Kujtoj që në atë kohë unë isha në vështirësi, nuk kisha shtëpi dhe flija në papafingon e Lidhjes së Shkrimtarëve, në një dhomë dy metër me tre metër, me mure me lagështi si kërmilli, dhe çuditërisht në ato kushte mizerabël ne kishim një krijimtari të bollshme. Pra, nuk është liria politike ose mirëqenia në proporcion të drejtë me krijimtarinë, sepse në atë kohë, as unë as Teodori nuk jetonim në kushte të mira. Po të qe ashtu që kushtet ndikojnë në krijimtari i binte që Zvicra do të kishte letërsinë më të mirë, në fakt ka letërsinë më mizerabël. Po të tregoj një histori me Shekspirin: Kur u vendosën Stjuartët në pushtet, Mbreti i Anglisë bëhet Xhejms Stjuart.

Shekspiri në atë kohë bënte pjesë në atë që quhej King’s Theatre dhe ai që do të bënte drama zgjidhej nga Mbreti. Shekspiri zgjidhet dhe porositet për të bërë një dramë, një tragjedi, që më vonë e merr titullin “Makbeth”. Pra, “Makbethi” është një vepër që është shkruar me porosinë e Mbretit dhe me porosinë banale që “Shiko mos e bëj të gjatë dramën se Mbretin e zë gjumi gjatë shfaqjes”. Pra iu tha që drama të jetë sa më e shkurtër. Megjithëse në kushte të shtrënguara dhe me porosi, drama “Makbethi” është drama më e mirë. Pse, se pavarësisht shtrëngimeve drama ka lirinë e gjuhës.   
 
Po grupi i poetëve? Më kujtohet se shpërtheu një grup i talentuar, po sot po ndodh ky fenomen?
-Edhe sot kanë dalë disa poetë të talentuar. Kishte vërtetë një shpërthim të poezisë me frymë moderne, si Ndoc Gjetja, Preç Zogaj, etj. Por para këtyre unë mund t’ju them se femonemi më i madh i letërsisë shqipe në vitet e diktaturës, është fenomeni Kadare. Ka qenë ai emancipuesi dhe frymëzuesi i asaj letërsie që erdhi më pas. Edhe sot vihet re një lëvizje e madhe në letërsi si në ato vite, sidomos në poezi, ku është një brez që përfaqësohet me poezitë e Arjan Lekës, Agron Tufës, Rudian Zekthit, Gentian Çocolit, Parid Teferiçit, është poezia e Visar Zhitit. Kjo plejadë sjell shenja të emancipimit dhe provën që kjo poezi sjell një zhargon të ri poetik dhe intonacion e sintaksë, e ritëm poetik që bashkohet me elementë të një poezie botërore. Por problemi më i madh është se studiuesit letrarë dhe kritika letrare në Shqipëri nuk janë të përgatitur për arritjet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në letërsinë shqipe.
 
Tani që gazeta “Drita” ka degraduar, nuk eksiton më, çfarë mendimi ke për mediumet letrare që janë sot. Cili është roli i tyre?
-Pas ikjes së gazetës “Drita” nga tregu ka ekzistuar një vakum i madh. Tani ka nisur të botohet revista “Poeteka”, “Letrat” dhe “Aleph” që kanë një vëmendje poetike. Por megjithatë sot po ndodh një shfaqje e madhe inferioteti me letrat shqipe, përulja ndaj emrave të huaj. Nuk fola rastësisht më sipër për tregimet e Zija Çelës. Ato janë të nivelit botëror, janë të jashtëzakonshme. Kur kur lexon tregimet Zija Çelës më vjen me bërtit: -More kritik, more studiues i letërsisë, çfarë pret tjetër të bëjë shkrimtari shqiptar. Kritika letrare nuk është e përgatitur të pranojë vlerat e letërsisë së vendit të vet.
 
Si do t’i komentonit kritikat që qarkullojnë për letërsinë e Kadaresë. Besoj se jeni në dijeni të sulmeve që i bëhen herë pas here në media nga disa autorë shqiptarë?
-Kjo konfirmon edhe njëherë se Kadareja është shkrimtar i madhe. Çfarë shkrimtari i madh je, nëse nuk sulmohesh nga mediokrit?!. Shkrimtari i madh krijon një përmbysje në shoqërinë ku jeton. Kjo përmbysje do të shoqërohet shpesh me pakënaqësinë e shtresave të ndryshme. Sulmet ndaj një shkrimtari të madh, nuk janë një gjë e re. Shekspiri është sulmuar në kohën e vet, po ashtu edhe Dostojevski, Tolstoi. PO ta keni vënë re, shekulli i 20-të është shekulli i gjyqeve ndaj shkrimtarëve, ku akuzohen herë si komunistë e herë si postkomunistë. Kështu sulmohet edhe Tomas Mani, etj, etj.

Shkrimtari Rudolf Marku
(Në foto: Shkrimtari Rudolf Marku)

Ismail Kadare
(Në foto: Ismail Kadare)

Faksimile e një faqeje të gazetës Drita
(Nq foto: Faksimile e një Faqe të gazetës "Drita")

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024