Ruka:Censura e filmave e rrezikshme
mund të vijojë me librin e këngët

Ruka:Censura e filmave e rrezikshme<br />mund të vijojë me librin e këngët
Propozim i shkrimtarit dhe poetit Agron Tufa për seleksionimin dhe heqjen nga qarkullimi të filmave të xhiruar në kohën e diktaturës ka ngjallur debate të ashpra mes kineastëve dhe protagonistëve të këtyre filmave.

Pas kësaj deklarate, reagon skenaristi dhe regjisori Petrit Ruka i cili kërkesën për censurë e quan absurde.

“Është një marrëzi që në hapin e parë përderisa devizën prej mijëra vjetësh e ka dhënë evolucioni i artit botëror, vetëm koha mund të japë urdhra për të ndaluar e për të mos ndaluar”,-thotë Ruka. 

Një varg rreziqesh mund të vijnë nga censura, pohon Ruka, duke theksuar se edhe Vatikani ka kërkuar falje për djegien e librave në mesjetë.

“Me ndalimin e filmit loja do të hapet, do të kërkojnë ndalime në poezi, do ta kërkojmë pastaj te romani, do detyrohemi ta kërkojmë tek këngët, vallet. Në fund të fundit filmat tanë janë një dëshmi për t’iu treguar brezave se si funksiononte ideologjia në një regjim që e kishte përparësi kontrollin e ideve dhe vlerave artistike. Ne e dimë që tashmë Kisha Katolike ka kërkuar falje për djegien e librave, vetë Amerika e madhe kampione e demokracisë e konsideron njollë turpi makartizimin e viteve 1954 kur vuri në bankën e të akuzuarve Chaplinin me shokë, po kështu Gjermania sot kërkon ndjesë për djegieje e librave në kohën e Hitlerit, e megjithatë filmat për Hitlerin vazhdojnë të shfaqen si dëshmi”,-u shpreh Ruka. 

Petrit Ruka kujton të gjitha faljet që janë bërë për zhdukje librash apo veprash arti. Ai shprehet se nuk është dëgjuar që një kërkesë e tillë bëhet pikërisht nga një shkrimtar.

“Konceptet e ndalimit vijnë nga diktaturat qofshin ato të majta apo të djathta, fashizmi apo komunizmi. Ne po përsërisim të njëjtin gabim. Unë the që është një iniciativë e madhe kjo që iniciativa në vend që të vijë prej regjimeve vjen prej artistëve që duhet të jenë më tolerantë me njëri-tjetrin”,-tha ai.

Ndryshe mendon Ylljet Aliçkaj, shkrimtar dhe skenarist. Ai e sheh në një tjetër këndvështrim faktin që disa artistë e gazetarë kërkojnë ndalimin e filmave. 

‘’S’jam për t’i ndalur, për hir të së vërtetës. Por përshëndes diskutimet e atyre grupimeve që kam parë të Godolës, Tufës, Mark Markut. I quaj të themi provokatorë të debatit të mirë publik. Çdo mbrojtje në nivele sociale, politike, mbulon gjithmonë një interes. Interesi është ose protagonizëm, një interes ekonomik. Në rastin e tyre, duhet të dilnin edhe gjëra të tjera në pah, instrumente më të fuqishëm të diktaturës nuk janë bërë transparent. Viktimat nuk e kanë thënë ende fjalën e tyre të fundit’’,-u shpreh Aliçkaj. 

Ndërsa debati rri ende ndezur në rrethet artistike Agron Tufa, njëkohësisht drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit ka deklaruar se propozimin do ta çojnë në Parlament.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit