RUMANI - Arrestohet nën akuzën për rryshfet, kryetari i bashkisë së Bukureshtit, Sorin Oprescu. Ky i fundit u prangos sot në shtëpinë e tij pas dyshimeve se ka marrë shuma të mëdha nga kompanitë të cilave u mundësonte kontratat për shërbime të ndryshme.

Sipas prokurorëve, Oprescu, tashmë në mandatin e tij të dytë si qytetari i parë i Bukureshtit, dyshohet të ketë marrë 10 % të marrëveshjeve që nënshkruante. 63 vjeçari i cili gëzon mbështetjen e Social Demokratëve në pushtet ndodhet tashmë në paraburgim për 24 orë deri sat ë vendoset masa e sigurisë. Prokurorët kanë kërkuar arrest me burg për një muaj ndërsa do të vijojnë me hetimet.

“Kompanitë që fitonin kontrata për punët publike, mbanin deri në 33 % të fitimit bruto, ndërsa pjesa tjetër jepej si rryshfet për punonjësit e kryebashkiakut, ku 10 % të vlerës së kontratës ishte kërkuar nga i akuzuari Sorin Oprescu."-thuhet në njoftimin e prokurorisë së Bukureshtit.

Por avokati i tij tha se Oprescu nuk i ka kërkuar kurrë para askujt. Bëhet fjalë për skandalin më të fundit te korrupsionit që përfshin zyrtarë të lartë apo figura politike në Rumani, mes të cilëve edhe vetë kryeministri Viktor Ponta. Ky i fundit u padit në korrik me akuzën për korrupsion pas një hetimi të gjatë.

Ponta akuzohet për mashtrim, evasion fiscal dhe pastrim parashë, në vitin 2012 përpara se të bëhej kryeministër.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)