BUKURESHT, 14 tetor /ATSH-AFP/ - Presidenti rumun i qendrës së djathtë, Traian Basesku akuzoi kryeministrin socialdemokrat, Viktor Ponta se ka qenë një agjent i infiltruar ndërkohë që ka qenë prokuror, në shkelje me ligjin, një akuzë që u hodh poshtë nga ky i fundit.
Këto akuza u bënë të paktën tre javë nga turi i parë i zgjedhjeve presidenciale, zgjedhje për të cilat Ponta është favorit në sondazhe.
"Viktor Ponta duhet të pranojë se në vitet 1997 dhe 2001 ka qenë agjent i infiltruar i Shërbimit  të Jashtëm Sekret (SIE)", konfirmoi Basesku në një intervistë për stacionin privat televiziv "Realitatea TV".
"Këto janë vetëm gënjeshtra", theksoi Ponta. "Pasi kam mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1995, kam respektuar ligjet dhe i kam shërbyer vendit tim edhe si prokuror, deputet, ministër dhe më pas si kryeministër", shtoi ai.
Basesku përmendi mbështetjen për propozimet përsa i përket dy vendimeve qeveritare që datojnë në vitin 2002 dhe respektivisht në vitin 2013 që kanë të bëjnë me aktivitetin e SIE-s, që sipas tij do t'i mundësojnë Pontas të fshehë aktivitetin e tij si agjent i infiltruar.
Ai akuzoi  kryeministrin se ka gënjyer për të kaluarën e tij dhe ka shkelur Kushtetutën që parashikon që funksioni i prokurorit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik apo privat./ATSH/
/ec/